Jo vetëm ushqimet, shqiptarët paguajnë dhe për komunikimin 7.6% më shumë se mesatarja e BE-së

Krahas ushqimeve, pajisjeve elektroshtëpiake, naftës e të tjera, konsumatorët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se Bashkimi Europian edhe për komunikimin dhe informacionin.

Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, indeksi i çmimeve sipas fuqisë blerëse për informacionin dhe komunikimin për Shqipërinë për vitin 2025 ishte 107.6% e mesatares së Bashkimit Europian.

Kjo do të thotë se për të komunikuar përmes celularit, numri fiks, apo për të përdorur internetin, konsumatorët vendas paguajnë 7.6% më shumë sesa një qytetar europian, e matur kjo sipas barazisë së fuqisë blerëse.

Çmimet e komunikimit janë shtrenjtuar vazhdimisht vitet e fundit, teksa tregu i është rikthyer duopolit me vetëm dy kompani. Në 2022-n, çmimet ishte 9% më lirë se mesatarja e BE-së. Në 2023-n për herë të parë u kalua lehtë mesatarja e BE-së (100.5%) për të vazhduar shtrenjtimin dhe në 2024-n (103.1), për të arritur rekordin në 2025-n.

I gjithë rajoni, në përgjithësi është i shtrenjtë në komunikim, por Shqipëria mban rekord. Më e lirë është Maqedonia e Veriut (84.9%), e vetmja në mesataren e BE-së. Më pas renditen Bosnjë Hercegovina (99.9), Serbia (102.7), Mali i ZI (106.1). Nuk ka të dhëna për Kosovën.

Më të shtrenjtat në Europë për komunikim janë Zvicra (167.0%), Norvegjia (164.1), Islanda (151.6), Belgjika (146.3), Suedia (137.5). Më të lirat janë Maqedonia e Veriut (84.9), Turqia (70.2), Polonia (67.6), Rumania (56.1).

Interneti na kushton më shumë

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në raportin e fndit vjetor 2025 ka kryer vlerësimin e përballueshmërisë së shërbimeve të komunikimeve elektronike në Shqipëri, në përputhje me metodologjinë e Bashkimit të Përbotshëm të Telekomunikacionit (International Telecommunication Union), e cila mat koston e shportave standarde të TIK në raport me të ardhurat kombëtare bruto për frymë (GNI/banorë).

Pragu prej 2% i GNI/banorë shërben si kufi referues për përcaktimin e përballueshmërisë së shërbimeve bazë.

Nga të dhënat rezulton se më i shtrenjtë është interneti, i cili po gjen gjithnjë e më shumë përdorim vitet e fundit. Shqipëria ka koston më të lartë të internetit nga rrjetet celulare, në raport me të ardhurat, në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU), kosto mesatare e shportës mujore të internetit me brez të gjerë për vitin 2025 në Shqipëri ishte sa 1.69% e të ardhurave mujore bruto (GNI).

Me një nivel të tillë, Shqipëria renditet ndjeshëm sipër vendeve të tjera të rajonit dhe mesatares botërore. Pas Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut, me 1.31% të GNI, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia, me 0.96%. ITU nuk i publikon të dhëna për Kosovën.

Shqipëria ka gjithashtu kosto dukshëm më të larta se mesatarja botërore, prej 1.38% e GNI.

Shqipëria pozicionohet pranë niveleve më të larta në rajon dhe sipër mesatares botërore edhe në shportën e komunikimit me përdorim të lartë (140 minuta, 20 SMS dhe 5 GB), me 1.95% të GNI.

Me këtë nivel, Shqipëria është vendi i dytë me kosto më të larta të paketës në fjalë në rajon, pas Maqedonisë së Veriut, me 2.1% të GNI. Pas Shqipërisë vijojnë Bosnjë-Hercegovina, me 1.86%, Serbia, me 1.49% dhe Mali i Zi, me 1.01%./MONITOR