Rezidenca ikonike e Silvio Berlusconit “Villa Certosa”, i shitet familjes mbretërore në Katar
Trashëgimtarët e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi kanë rënë dakord t’i shesin rezidencën e tij luksoze në Sardenjë, “Villa Certosa”, një familjeje mbretërore në Katar, raportoi “Reuters”.
Sipas medias lokale, Sheikh Jassim bin Hamad Al Thani ka paguar rreth 350 milionë euro për pronën e vendosur, në zonën ekskluzive Costa Smeralda të Sardenjës.
Berlusconi, i cili u nda nga jeta në vitin 2023, ishte një figurë që ndërthurte politikën, biznesin dhe median.
Rezidenca “Villa Certosa” u bë e famshme për organizimin e festave të njohura “bunga bunga”, ku merrnin pjesë të ftuar nga e gjithë bota.
Mysafirë të famshëm dhe një “vullkan” artificial
Prona shtrihet në rreth 120 hektarë tokë dhe ofron pamje panoramike mbi Mesdheun. Kompleksi përfshin vilën kryesore dhe ndërtesa të tjera me rreth 126 dhoma, pishina, një amfiteatër, një koleksion të madh kaktusesh si dhe një vullkan artificial që mund të aktivizohet sipas dëshirës.
Në pronë ndodhet gjithashtu një shpellë nëntokësore në stilin e filmave të James Bond, ku varkat e vogla mund të ankorohen larg syve të publikut.
Gjatë viteve, Berlusconi ka pritur në këtë rezidencë presidentë, kryeministra, miliarderë dhe figura të njohura të botës së spektaklit.
Mes vizitorëve kanë qenë edhe presidenti rus Vladimir Putin, si dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair me bashkëshorten e tij.
Në vitin 2009, gazeta spanjolle “El País” publikoi fotografi të realizuara në rezidencë, mes të cilave edhe një imazh nudo të ish-kryeministrit çek Mirek Topolánek, pranë një prej pishinave.
Shitja e “Villa Certosa” është pjesë e përpjekjeve të pesë fëmijëve të Berlusconit për të riorganizuar dhe racionalizuar perandorinë e gjerë të pasurive të lëna pas nga ish-kryeministri italian.
Gjatë viteve, për rezidencën janë përfolur si blerës të mundshëm investitorë nga Spanja, Rusia, Kina dhe Arabia Saudite.

