Festivali i Pranverës, Arsi Bako fiton çmimin e parë me këngën “Humb”

Këngëtarja Arsi Bako u shpall fituesja e Festivalit të Pranverës, me këngën “Humb”.

Festivali i Pranverës në RTSH erdhi pas dy dekadash ndërprerje të aktivitetit. Kënga fituese mori 260 pikë, 60% e të cilave prej jurisë profesionale. Në vend të dytë u rendit Herva Novaku me këngën “Zemër në dy hap” me 242 pikë, ndërsa në vend të tretë Jet me “Në derë do t’i qaj” me 174 pikë.

Rikthimi i këtij aktiviteti u konsiderua si një festë të madhe muzikore, ku u ndërthurën gara, nostalgjia dhe rikthimi i emrave të mëdhenj të skenës shqiptare. Në skenë u ngjitën emra që bënë historinë e Festivaleve të Pranverës, si Aleksandër Gjoka, Frederik Ndoci, Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa, Jonida Maliqi, Dashnor Diko, Adhurim Demiri dhe Renis Gjoka, te cilet interpretuan këngët e tyre të kthyera në hite.

Festivali i Pranverës u zhvillua në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe u prezantua nga këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori Nik Xhelilaj, të cilët morën vlerësimin e spektatorëve.