BE synon të forcojë teknologjinë vendase për të ulur varësinë nga SHBA
Komisioni Evropian planifikon të rrisë kapacitetet e Bashkimit Evropian në prodhimin e gjysmëpërçuesve, inteligjencën artificiale (IA) dhe shërbimet cloud, me synimin për të reduktuar varësinë e bllokut nga ofruesit e huaj të teknologjisë.
“Ne nuk mund të përballojmë të varemi nga të tjerët për teknologjitë që mbajnë në funksion spitalet tona, stabilizojnë rrjetet energjetike dhe sigurojnë shërbimet tona,” deklaroi sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e qytetarëve tanë, mbrojtjen e interesave tona dhe aftësinë për të bërë zgjedhjet tona” .shtoi ajo.
Nisma vjen mes shqetësimeve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose Kina mund të kufizojnë shërbimet e ofruara nga gjigantët e tyre teknologjikë për klientët evropianë, ndërsa industria teknologjike e BE-së rrezikon të mbetet pas në garën globale.
Me përhapjen e shpejtë të aplikacioneve të inteligjencës artificiale dhe rritjen e ndjeshme të kërkesës për kapacitete kompjuterike, Komisioni ka propozuar një sërë masash për të siguruar më shumë kapacitete brenda BE-së.
Masat, të cilat duhet të miratohen nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian, përfshijnë përshpejtimin e procedurave të lejeve dhe thellimin e bashkëpunimit me vendet partnere për ndërtimin e më shumë qendrave të të dhënave dhe superkompjuterëve të dedikuar për inteligjencën artificiale.
Komisioni synon të trefishojë kapacitetin e qendrave të të dhënave në Evropë gjatë pesë deri në shtatë viteve të ardhshme.
Gjithashtu, ekzekutivi i BE-së dëshiron që shtetet anëtare të përdorin më shumë mikroçipa të prodhuar në Evropë në prokurimet publike, për të nxitur zgjerimin e prodhimit vendas. Aktualisht, BE-ja është larg objektivit afatgjatë për të arritur 20% të prodhimit global të gjysmëpërçuesve deri në vitin 2030.
Komisioni kërkon gjithashtu që sektori publik në BE të tregojë më shumë kujdes në ruajtjen e të dhënave sensitive në shërbimet cloud dhe të mbështetet më shumë te zgjidhjet evropiane.
Aktualisht, Bashkimi Evropian varet në masë të madhe nga ofruesit amerikanë të cloud-it. Dominimi i kompanive të mëdha amerikane në këtë sektor është konsideruar prej kohësh si i padëmshëm, por rikthimi i presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka nxitur shqetësime se BE-ja mund të jetë e ekspozuar ndaj vendimeve politike të Uashingtonit.

