Kairo inauguron monorail-in e parë pa shofer në Afrikë për të zbutur trafikun e rënduar!
Në përpjekje për të lehtësuar trafikun e rënduar në kryeqytetin egjiptian, është hapur një sistem i ri transporti modern: monorail-i i parë pa shofer në Afrikë, i cili lidh zona të ndryshme të Kajros me qytetin e ri administrativ.
Sistemi i ri, i njohur si Cairo Monorail, përbën një rrjet elektrik të automatizuar dhe pritet të bëhet një nga më të gjatët në botë pasi të përfundojë plotësisht. Linja e parë, e quajtur East Nile, shtrihet për rreth 56.5 kilometra dhe lidh zonën Nasr City me Kryeqytetin e Ri Administrativ, një projekt urban që po zhvillohet në shkretëtirë për të ulur presionin mbi Kajron.
Një linjë e dytë, West Nile, është aktualisht në ndërtim dhe do të lidhë 6 October City me Gizanë, duke zgjeruar më tej rrjetin e transportit publik në zonën metropolitane.
Sipas kompanisë prodhuese Alstom, sistemi mund të operojë plotësisht pa shofer falë teknologjisë së avancuar të sinjalizimit dhe komunikimit me radio, e cila lejon ndjekjen e saktë të trenave në kohë reale. Kompania thekson se sistemi është projektuar për të qenë i zgjerueshëm dhe efikas në energji, duke rikuperuar deri në 99% të energjisë së frenimit.
Autoritetet egjiptiane e shohin projektin si pjesë të një plani më të gjerë për modernizimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e Kryeqytetit të Ri Administrativ, i cili pritet të strehojë miliona banorë në të ardhmen.
Megjithatë, projekti ka ngjallur edhe kritika, pasi disa ekspertë dhe qytetarë dyshojnë në ndikimin real që monorail-i do të ketë në uljen e trafikut të përditshëm në Kajro, një nga qytetet më të mbingarkuara në botë.
Pavarësisht debatit, monorail-i ka nisur funksionimin dhe pritet të transportojë qindra mijëra pasagjerë çdo ditë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt transportit urban modern në Egjipt./CNN
