EMRAT/ Kultivonin kanabis me vlerë miliona paund, arrestohen 6 shqiptarë në Britani

Një bandë prej gjashtë emigrantësh të paligjshëm u kapën nga autoritetet britanike, teksa kultivonin sasi të mëdha bimësh narkotike, kanabis, me vlerë disa milionë paund në një njësi industriale të braktisur në Nottinghamshire.

Grupi, të gjithë shqiptarë, u kapën pasi policia bastisi një pronë të zbrazët në Botany Avenue, Mansfield, të dielën.

Policia e Nottinghamshire tha më parë se sapo hynë brenda zbuluan pak më shumë se 4,800 bimë, të gjitha në faza të ndryshme të pjekurisë.

Këtë javë, Ardit Gjonaj, 37 vjeç, nga Crocketts Lane, Smethwick, West Midlands; Lanti Avapai, 45 vjeç; Elton Salihasi, 41 vjeç; Artu Ruqu, 44 vjeç; Eldis Beneri, 34 vjeç dhe Robert Ruko, 47 vjeç, të gjithë pa adresë fikse, deklaruan fajtorë për përfshirje në prodhimin e kanabisit, raportojnë mediat britanike.

Me ndihmën e dy përkthyesve shqiptarë, secili prej tyre mohoi një akuzë të dytë për posedim me qëllim furnizimin e drogës së klasit B, të cilën prokuroria e pranoi.

Banda pritej të dënohej pas pranimit të fajësisë më 2 qershor.

Por për shkak të tejkalimit të çështjeve të tjera, gjykatësi Nigel Godsmark KC shtyu seancën dëgjimore deri më 30 qershor dhe i la të gjashtë burrat në paraburgim deri atëherë.

Në një deklaratë të mëparshme, detektivja, Millie Gillett tha: “Kishim arsye të besonim se kjo vendndodhje po përdorej për qëllime të paligjshme dhe dyshimet tona u konfirmuan shpejt, kur hymë brenda dhe zbuluam një fermë kanabisi jashtëzakonisht të madhe me përmasa industriale.”

“Synimi i kriminalitetit të lidhur me drogën dhe largimi i substancave të dëmshme nga rrugët tona është një nga prioritetet tona kryesore të policimit, kështu që jam e kënaqur që arritëm të kapnim një sasi kaq të madhe droge të paligjshme, duke i parandaluar ato të dilnin në rrugë, dhe t’i çonim këta gjashtë të dyshuar para gjykatës.” /Boldnews