“Hëna blu” ndriçon qiellin/ Fenomeni i rrallë spektakolar shihet në hemisferën veriore

Një “Hënë blu” e rrallë ka dhuruar spektakël në qiellin e hemisferës veriore, duke u vëzhguar qartë në zona të ndryshme të botës, përfshirë Kaliforninë, Meksikën, Kanadanë dhe Evropën Jugore.

Fenomeni, i cili ndodhi këtë fundjavë, nuk i referohet ngjyrës së satelitit natyror të Tokës, por momentit kur brenda një muaji kalendarik ndodhin dy Hëna të plota.

Sipas NASA-s, këtë herë Hëna u klasifikua edhe si “mikrohënë”, pasi ndodhej në pikën më të largët nga Toka në orbitën e saj, duke u shfaqur më e vogël se zakonisht në qiell.

Edhe pse quhet “Hënë blu”, ajo nuk shfaqet me ngjyrë blu me sy të lirë. Në shumicën e rasteve, ajo shihet me nuanca portokalli ose të verdha, ndërsa ngjyra e saj ndikohet nga grimcat që ndodhen në atmosferë.

Sipas ekspertëve, vetëm prania e pluhurit të dendur apo hirit vullkanik në atmosferë mund t’i japë Hënës një nuancë blu, ndërsa në kushte normale ajo ruan ngjyrën e bardhë ose gri.

Ky fenomen i rrallë astronomik shënoi gjithashtu edhe mbylljen simbolike të stinës së pranverës, duke tërhequr vëmendjen e adhuruesve të qiellit në mbarë botën.