Komuniteti LGBTQI+ marshim në Tiranë
Komuniteti LGBTI zhvilloi sot në Tiranë paradën vjetore të krenarisë, një aktivitet i organizuar me synimin për të promovuar të drejtat, barazinë dhe gjithëpërfshirjen sociale të personave LGBTQI+ ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në aktivitetin që nisi mesditën e sotme nga instalacioni “Reja” për të vazhduar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pjesëmarrës dhe përfaqësues organizatash marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhe kundër diskriminimit të këtij komuniteti dhe në mbështetje të respektimit të të drejtave të njeriut.
Kjo paradë krenarie, siç e etiketojnë pjesëmarrësit e këtij komuniteti me sloganin “Vala kalon. Ne mbetemi. Bashkë”, ka në thelb të sajin rëndësinë e ndërgjegjësimit publik, mbrojtjes ligjore dhe krijimit të një mjedisi më të sigurt e gjithëpërfshirës për komunitetin LGBTI në Shqipëri.
“Sot, më shumë se kurrë, përgjigjja jonë është e njëjtë: Bashkë. Bashkë për t’i bërë ballë valës e për ta kthyer frikën në forcë.

Bashkë për të kujtuar se ajo që kemi ndërtuar mes nesh është forca jonë më e madhe, që i bën ballë çdo vale urrejtjeje, një forcë e lindur nga kujdesi për njëri-tjetrin dhe që e kemi mbajtur gjallë gjithmonë, shpesh në heshtje, e padukshme për këdo tjetër”, shprehen përfaqësues të këtij komuniteti.
Gjatë aktivitetit, kishte performanca kërcimi, pankarta, flamuj shumëngjyrësh dhe thirrje për barazi, respekt dhe dinjitet.
Parada e krenarisë organizohet çdo vit në Tiranë si pjesë e aktiviteteve që synojnë promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

