Rastet flagrante/ Abuzimet me produktet që masakrojnë tregun dhe vjedhin xhepat e qytetarëve
Në disa shkrime që CNA ka sjellë kohët e fundit kemi vënë fokusin tonë në disa çështje që lidhen direkt me sigurinë ushqimore, me standardet, cilësinë e produkteve që përdorin shqiptarët dhe blejnë në supermarkete.
Që nga produktet e luksit, që nga verërat e shtrenjta të cilat sillen kontrabandë në Shqipëri dhe nuk ju dihet burimi i tyre, që i gjen rëndom në treg.
Vera dhe produkte që mund t’i marrësh në një lokal për të pirë dhe shijuar diçka cilësore por që në fakt nuk e di ku është mbushur, nuk ka një pullë fiskale, nuk është e sjellë nga distributor i autorizuar, por vjen me fugona dhe kamiona bagazheve.
Edhe sikur të justifikohet ajo që vjen si kontrabandë, po ajo që vjen e pakontrolluar që nuk dihet se çfarë ka brenda, që rrezikon jetën enjerëzve. Në kuadër të një Shqipërie që do të ikë në BE si mund të mendosh që tregu të ketë produkte fallco?
A mendon dot kush që të ketë në Itali, produkte fallco nga Greqia apo anasjelltas, pa menduar pastaj të hysh në tregun e distributorëve apo përfaqësuesve të markave të ndryshme.
Sot po sjellim një tjetër fenomen që ne e kemi vëzhguar dhe konstatuar me një produkt shumë të reklamuar siç është Coca-Cola.
Një markë botërore që rëndon e gjen në supermarketet tona me etiketa të vendeve të huaja, pavarësisht se prodhuesi i markës është me kompani në Shqipëri, e cila prodhon, tregton dhe shpërndan sipas të gjitha certifikimeve zyrtare. Por rëndom në supermarketet tona gjendet Coca-Cola italiane apo greke.
Po prodhuesi, distributor shqiptar, pse injorohet dhe konkurrohet në mënyrë të padrejtë? Së pari, prodhuesi shqiptar dhe mbajtësi i patentës dhe markës paguan punonjës, administratë, reklama, kosto, certifikime, standarde, kontrolle dhe del një supermarket, tregtar e mbush makinën në Itali apo Greqi, ose më keq akoma, nëpër supermarkete mund të vijë edhe pa asnjë informacion se cili është burimi.
Pa e ditur nga është prodhuar, siç ndodh dhe siç ne raportuam se mund të ndodhë rëndom në qilarët e jugut të Italisë, Turqisë apo si dikur në Kombinat në Tiranë, nëpër qilare, nëpër vrima, nëpër katakombe, ku falsifikohen produktet.
Shkon kamioni, ngarkon, sjell, dhe tregtarët në këto supermarkete e vendosin mallin në vitrinë. Dhe ajo që është më e bukura, por edhe më abuzivja, është fakti se e reklamojnë si produkt europian: "Coca-Cola italiane".
Po mirë, pse Coca-Cola italiane nuk shitet në Greqi ose anasjelltas? Sepse ka standarde, ka rregulla. Mbajtësi i markës e ka dhënë certifikimin apo shpërndarjen në një kompani dhe në një territor të caktuar. Ti nuk mund të ndërhysh kudo, siç do ti.
Pse duhet produkti i pacertifikuar, i papatentuar, pa leje, dhe për më tepër akoma, që nuk paguan asnjë qindarkë për reklama apo marketing në Shqipëri, të vijë nga jashtë dhe të konkurojë në mënyrë të padrejtë mbajtësin e markës, patentën apo prodhuesin në Shqipëri?
Apo shkon Shqipëria drejt BE-së? A duhet të jenë këto standarde? Për më tepër, mashtrohen shqiptarët dhe ju vidhen xhepat.
Po, po, për ata që nuk e besojnë, ju vidhen, sepse ju thonë: "kjo Coca-Cola është më e shtrenjtë se është italiane, është më cilësore".
Por janë i njëjti produkt, janë e njëjta cilësi, janë i njëjti standard, kanë të njëjtin certifikim, dhe asgjë më shumë. Por shqiptarët, të merakosur se mallrat e prodhuara në vendin tonë nuk janë në standardin dhe cilësinë e duhur, shkojnë dhe gënjehen dhe paguajnë deri në dyfish për të marrë një Coca-Cola që gjoja qenka italiane dhe më e mirë.
Në fakt, ajo është më e shtrenjtë për asgjë më shumë, thjesht dhe vetëm për të pasuruar personin që e fut atë mall me apo pa doganë, kontrabandë ose në mënyrë zyrtare tek doganat, ku dhe qëndron problematika kryesore. Pasi në dogana nuk duhet të lejohen të hyjnë këto produkte.
AKU gjithashtu duhet të shkojë dhe t'i bllokojë nëpër supermarkete dhe duhet t'i japë prioritet produkteve të cilat janë të certifikuara, janë një markë, janë një patentë, kanë autorizimin e distributorit nga prodhuesi përkatës apo janë mbajtës të markës përkatëse.
Ne sot sollëm shembullin e Coca-Colës. Nesër do të sjellim një shembull tjetër, pasnesër një tjetër akoma, për të treguar se si masakrohet një treg, se si vidhen xhepat e qytetarëve, këta të fundit thjesht dhe vetëm duke i mashtruar "është më e mirë kjo, është italiane apo greke kjo", megjithëse është i njëjti prodhues, nga e njëjta linjë, nga e njëjta markë, dhe nuk ka asnjë ndryshim.
Por tregtarë abuzivë për të mbushur xhepat e tyre përdorin etiketat e huaja, rrisin çmimet dhe abuzojnë me konsumatorët. Këtu nuk duhet të ndërhyjnë vetëm doganat dhe AKU-ja, por dhe tatimet, të cilat duhet të rivlerësojnë këto produkte abuzive në treg, të cilat përdoren për t'ju vjedhur xhepat qytetarëve.
Nga ana tjetër, ata që vidhen janë biznesmenët, ata që kanë të drejtat e markës, të patentës, të shpërndarjes. Sa miliona e miliona euro humb shteti dhe biznesi nga konkurrenca e pandershme?
Ne kemi përmendur me detaje tregtinë e verërave, markat fallso, etiketat që vendosen në jug të Italisë dhe brenda nuk dihet se çfarë vere ka. Blihen me 2 euro dhe shiten me 200, sepse nuk kalojnë nga distributori zyrtar, nuk kanë pullë.
Sollëm rastin e Coca-Colës, që një Coca-Cola me një etiketë të huaj konkurron në mënyrë të padrejtë atë që ka markën, distribucionin dhe patentën e produktit në Shqipëri.
Por këta biznesmenë, këto kompani që janë të rregullta me shtetin, paguajnë taksa, bëjnë reklama, paguajnë miliona euro për produktin e tyre në treg dhe del një abuziv, del një hajdut që vjedh xhepat e shqiptarëve, dalin disa pronarë supermarketesh, grykës, që duan të pasurohen, dhe konkurrojnë në mënyrë të padrejtë dhe abuzive konkurrentët e tyre, pa paguar asnjë qindarkë, thjesht dhe vetëm marrin një etiketë, marrin një produkt, e hedhin në treg, ndërkohë që mbajtësi i patentës, mbajtësi i markës dhe distributori është tjetër kush.
Çfarë do të ndodhte sikur, tregtarë abuzivë të hapnin supermarkete me emrat e Conad-it, me emrat e Spar-it, me emrat Alb Market, Eco Market, Big Market, Extra Market, Diambe Market, Market Xhangolli apo Pronatyra MD? A nuk do të ishte kjo një abuzim, një vjedhje emri? Sepse ata marketojnë, kanë brandet e tyre.
Në fakt janë po këta pronarë marketesh dhe supermarketesh, të cilët abuzojnë me produktet që mbajnë në vitrinat e tyre, duke vjedhur jo vetëm xhepat e qytetarëve, por duke abuzuar, duke konkurruar në mënyrë të padrejtë dhe për më tepër duke mashtruar publikisht se po krijojnë tregje monopoli.
Në fakt kontrolli i markës dhe patentës, dhe mbajtja e certifikimeve të ndryshme për shpërndarjen e produktit, është një garanci më shumë për sigurinë e produktit, për cilësinë e tij që vjen te qytetari, ndryshe nga sa pretendohet nga këta abuzivë, nga i pari tek i fundit pa përjashtim, që kanë në vitrinat e tyre lloj-lloj mallrash të huaja, të pacertifikuara, të pakontrolluara, të paautorizuara për t'u shpërndarë në tregun shqiptar, pa folur pastaj pa e ditur se cili është burimi i tyre, si kanë hyrë nëpër dogana dhe pse ndodhen akoma në treg. /CNA


