Dinamo mes lodhjes dhe ëndrrës për titull/ Barushi: Gara mbetet e hapur deri në fund
Drejtori i Përgjithshëm i Dinamos, Ermal Barushi, ishte në një lidhje direkte për emisionin “Sport Focus”, ku foli për gjendjen e ekipit në një moment vendimtar të sezonit dhe për ecurinë e klubit gjatë viteve të fundit.
Barushi kujtoi periudhën pesëvjeçare të Dinamos, gjatë së cilës skuadra ka fituar tre trofe, dy Kupa dhe një Superkupë.
Sipas tij, këto rezultate janë produkt i punës së përbashkët të stafit dhe lojtarëve, përfshirë edhe trajnerin që ka pasur rol të rëndësishëm në këtë periudhë.
Në lidhje me gjendjen aktuale të skuadrës, ai u ndal te ngarkesa e madhe e ndeshjeve dhe ritmi i lartë i sezonit.
“Gjendja në përgjithësi është e mirë, por kemi pasur një periudhë shumë të ngjeshur. Lojtarët kanë luajtur çdo tre ditë dhe kjo ka sjellë lodhje dhe disa dëmtime. Jemi rikthyer edhe nga një kompeticion europian, ndaj pushimi ka qenë i shkurtër.”-tha ai.
Ai shtoi se pavarësisht ngarkesës, skuadra mbetet në garë dhe ka ende objektiva të hapura në kampionat.
“Skuadra do të vazhdojë të japë maksimumin. Jemi ende në garë matematikisht dhe do të luftojmë deri në fund, edhe pse është një kampionat i vështirë.”-shtoi Barushi.
Dinamo ndodhet në fazën e fundit të sezonit, ku çdo ndeshje pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në garën për titullin kampion.

