SHQIPËRIA NË EUROVISION / Alis Kallaçi me këngën “Nan” ngjitet i 13-ti në skenën e gjysmëfinales së dytë

Gjysmëfinalja e dytë e Eurovision Song Contest 2026 zhvillohet mbrëmjen e sotme ndërsa Shqipëria rikthehet në skenën europiane. Këngëtari shqiptar Alis Kallaçi do të interpretojë këngën “Nân” i 13-ti në renditjen zyrtare të natës. Vëmendja e publikut shqiptar dhe e mediave ndërkombëtare është përqendruar te performanca që synon kualifikimin në finalen e madhe të së shtunës.
SHQIPËRIA NË EUROVISION / Alis Kallaçi me këngën

Në prag të natës së dytë gjysmëfinale kënga “Nan” ka pasur reagime pozitive të marra gjatë provave zyrtare në skenën e Eurovisionit.

Interpretimi i Alis Kallaçit është vlerësuar për atmosferën emocionale, elementët artistikë dhe mënyrën e prezantimit në skenë, duke rritur pritshmëritë për një rezultat pozitiv të Shqipërisë në këtë edicion të festivalit më të madh europian të muzikës.

Një rol vendimtar në këtë fazë pritet të ketë vota e publikut sidomos mbështetja e diasporës shqiptare në Europë dhe më gjerë.

Sipas rregullave çdo person mund të japë maksimumi deri në 10 vota, një masë që është ndërmarrë pas debateve dhe kritikave për manipulime në edicionet e kaluara të festivalit.

Organizatorët kanë theksuar se sistemi i ri synon të garantojë më shumë transparencë dhe barazi në procesin e votimit.
Shqipëria votohet përmes numrit 13 në të gjitha shtetet pjesëmarrëse të Eurovisionit, sipas kodeve përkatëse të secilit vend gjatë transmetimit live të spektaklit.

Ndërkohë, shqiptarët që jetojnë në vende jo pjesëmarrëse mund të votojnë online përmes platformës zyrtare të Eurovisionit.

Votimi online mbyllet pak para nisjes së spektaklit dhe rihapet për pak minuta menjëherë pas performancës së Shqipërisë si edhe në fund të mbrëmjes. Organizatorët kanë sqaruar se votat nuk lejohen gjatë gjithë transmetimit live për përdoruesit online, por vetëm në intervalet e përcaktuara nga sistemi zyrtar i festivalit.

Për publikun shqiptar, kjo mbrëmje konsiderohet një tjetër mundësi për të rikthyer Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovisionit dhe për të forcuar prezencën shqiptare në një skenë që ndiqet nga miliona teleshikues në të gjithë botën.

Organizatorët e festivalit do të publikojnë rezultatet e kualifikimit në fund të natës, pas përfundimit të të gjitha performancave konkurruese.