Çfarë ndodh me trupin kur gjumi del jashtë ekuilibrit?
Si teprica ashtu edhe mungesa e gjumit lidhen me një plakje më të shpejtë, sidomos për trurin, zemrën, mushkëritë dhe sistemin imunitar.
Këtë e tregon një studim mbi “orët biologjike” të organeve të ndryshme të trupit të njeriut, i publikuar në revistën shkencore Nature nga Columbia University.
Orët biologjike për monitorimin e plakjes po përdoren gjithnjë e më shumë në fushën shkencore, sepse arrijnë të tregojnë nëse një person plaket më shpejt apo më ngadalë krahasuar me moshën e tij reale.
Kjo bëhet përmes inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave biologjike, si proteinat që zbulohen me një analizë të thjeshtë gjaku.
Për këtë studim, kërkuesit zhvilluan orë të reja biologjike duke përdorur të dhënat e gjysmë milioni njerëzve, të ruajtura në UK Biobank, si dhe modele të inteligjencës artificiale, për të identifikuar karakteristikat biologjike të plakjes së secilit organ.
Metoda kombinon burime të ndryshme informacioni: nga imazhet mjekësore te proteinat specifike të organeve, deri te molekulat e pranishme në gjak.
Për shembull, për mëlçinë u krijuan disa orë biologjike të ndryshme: një e bazuar te proteinat, një te të dhënat metabolike dhe një tjetër te imazhet mjekësore.
Duke krahasuar moshën biologjike të treguar nga këto orë me orët e gjumit të secilit individ, studiuesit zbuluan një lidhje të qartë: ata që flenë më pak se 6 orë dhe ata që flenë më shumë se 8 orë në ditë plaken më shpejt, ndërsa ata që flenë mes 6.4 dhe 7.8 orë në ditë plaken më ngadalë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vetëm kohëzgjatja e gjumit shkakton plakje më të shpejtë apo më të ngadaltë të organeve.
Studimi sugjeron se si mungesa, ashtu edhe teprica e gjumit mund të jenë tregues të një gjendjeje më të dobët shëndetësore të gjithë organizmit.

