Krim i rëndë në Suedi/ Vr*u tre persona në një sallon bukurie, gjykata lë 21-vjeçarin në burgim të përjetshëm
Një 21-vjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm në Suedi për vrasjen e tre të rinjve në një sallon bukurie në qytetin e Uppsalës, një ngjarje që ndodhi vitin e kaluar dhe që kishte tronditur vendin.
Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 29 prill 2025, kur u dëgjuan të shtëna me armë pranë një zone qendrore të qytetit. Pak më pas, në një sallon flokësh u gjetën të vrarë tre të rinj, dy adoleshentë 15 dhe 16 vjeç dhe një 20-vjeçar. Të tre kishin plagë me armë zjarri në kokë.
Ngjarja ndodhi në një periudhë kur qyteti po përgatitej për festimet e Natës së Walpurgis, që çdo vit mbledh dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht studentë.
Autoritetet suedeze e kanë cilësuar sulmin si një akt shumë të rëndë dhune, që sipas tyre ngjante me një ekzekutim. Hetimet kanë treguar se autori ka vepruar në lidhje me një rrjet kriminal, por organizatori kryesor i ngjarjes nuk është identifikuar.
Gjykata ka vlerësuar se krimi ka qenë veçanërisht i rëndë dhe ka shkaktuar pasoja të mëdha për familjet e viktimave dhe komunitetin, duke e cilësuar burgimin e përjetshëm si dënimin e vetëm të mundshëm.
Hetimet kanë nxjerrë gjithashtu në pah mënyrën se si rrjete kriminale në Suedi rekrutojnë të rinj përmes rrjeteve sociale për të kryer krime, shpesh duke shfrytëzuar faktin që disa prej tyre nuk mbajnë përgjegjësi të plotë penale për shkak të moshës.
Ky fenomen, i njohur si “dhunë me pagesë”, po konsiderohet një problem gjithnjë e më i madh në disa vende evropiane dhe ka sjellë edhe bashkëpunime ndërkombëtare për ta luftuar.
Autori i krimit është dënuar gjithashtu për një tjetër rast tentativë vrasjeje dy javë para ngjarjes në Uppsala, ku dy persona u qëlluan me armë, por arritën të mbijetojnë.

