Sekreti i thjeshtë që mund të ulë shpërthimet e zemërimit te fëmijët, sipas një studimi të ri

Sekreti i thjeshtë që mund të ulë shpërthimet e
Një studim i realizuar nga Universiteti i Agderit në Norvegji dhe i publikuar në revistën “Nutrients” tregon se dieta e fëmijëve të vegjël mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre mendor.

Sipas studiuesve, fëmijët që konsumojnë më shpesh fruta dhe perime kanë më pak shenja të problemeve si ankthi, depresioni dhe tërheqja sociale.

Ndërsa ata që ushqehen më shumë me ushqime të ëmbla dhe të kripura shfaqin më shpesh sjellje agresive ose shpërthyese.

Në studim janë analizuar të dhënat e 363 fëmijëve 4-vjeçarë dhe nënave të tyre në kuadër të një projekti norvegjez që merret me ushqyerjen në moshë të hershme.

Rezultatet tregojnë se lidhja mes ushqimit dhe sjelljes mbetet e dukshme edhe kur merren parasysh faktorë si gjendja ekonomike apo shëndeti mendor i nënës.

Studiuesit vërejnë se problemet e sjelljes tek fëmijët shpesh shfaqen që para moshës pesë vjeç dhe në shumë raste vazhdojnë edhe gjatë viteve të shkollës. Sipas të dhënave, rreth dy të tretat e fëmijëve që shfaqin vështirësi në sjellje në moshë shumë të hershme i mbajnë këto probleme edhe më vonë.

Në përfundim, studiuesit nënvizojnë se ushqimi i shëndetshëm në vitet e para të jetës mund të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin emocional dhe mendor të fëmijëve, duke ndikuar edhe në jetën e tyre të mëvonshme në shkollë dhe shoqëri.