VIDEO/ Laborator digjital në shkollën “Kosova”
Projekti i laboratorëve SMART, në të cilin janë përfshirë mbi 35 mijë nxënës të klasave të I, II dhe III po shtrihet në shkollat e të gjithë vendit.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro u shpreh se pajisja SmartLab, tashmë është pjesë e shkollës “Kosova” në kryeqytet. Nxënësit kanë një hapësirë inovative ku teknologjia, kreativiteti dhe dija bashkohen në orët e tyre mësimore.
“Ky ambient i ri nuk është vetëm klasa e preferuar e fëmijëve, por një investim konkret në cilësinë e mësimdhenies, që nxit mendimin kritik, punën në grup dhe aftësitë digjitale të nxënësve tanë”, tha Kumbaro.
Në kornizën kurrikulare të arsimit parauniversitar, kurrikula e TIK synohet të përfshihet në të gjitha klasat, nga I-XII dhe kompetenca digjitale të zhvillohet përgjatë gjithë lëndëve tjera.
Falë investimit të deritanishëm, mbi 35 mijë nxënës në arsimin fillor po mësojnë në këtë vit të ri shkollor përmes platformave interaktive, ndërkohë që pas ratifikimit të kësaj marrëveshjeje dhe zbatimit të projektit do të jenë përfitues rreth 130 mijë nxënës të arsimit parauniversitar, nga klasa 1-12.
Me implementimin e fazës së tretë, numri i shkollave të pajisura me SmartLab-e në të gjithë vendin do të shkojë në 915, ndërsa numri i laboratorëve në 970, duke përmbushur kështu edhe një nga objektivat kryesorë për pajisjen e të gjitha institucioneve të arsimit parauniversitar me infrastrukturën e nevojshme, që do t’i bëjë nxënësit të aftë të përshtaten me kornizën e re kurrikulare të përmirësuar, që mbështetet gjerësisht te teknologjia për zhvillimin e procesit mësimor dhe më të përgatitur edhe përballë sfidave të tregut të punës, që kërkon profesionistë të zotë të pajisur me aftësi digjitale.

