Kafja, ilaç apo rrezik?/ E vërteta për përfitimet që sjell ajo kur shmanget sheqeri

Kafja është një nga pijet më të konsumuara në botë dhe për shumë njerëz është pjesë e pandarë e mëngjesit.

Ajo në vetvete mund të ketë përfitime për shëndetin, por mënyra se si konsumohet ndikon shumë në efektet e saj.

Sipas ekspertëve, problemi kryesor shfaqet kur kafes i shtohet sasi e madhe sheqeri.

Kjo e kthen një pije relativisht të shëndetshme në një zakon që mund të sjellë pasoja si shtim në peshë, rritje të rrezikut për diabet dhe probleme me zemrën.

Sheqeri i përpunuar, ndryshe nga sheqernat natyrale që gjenden në fruta apo qumësht, nuk ka vlera ushqyese dhe duhet përdorur me kujdes. Për këtë arsye, shumë specialistë rekomandojnë alternativa më të shëndetshme si ëmbëlsuesit natyralë, për shembull stevia.

Studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi i moderuar i kafes, pa tepruar me sheqer, mund të sjellë përfitime për organizmin.

Një studim i publikuar në revistën “Circulation” ka gjetur se personat që pinë rregullisht kafe kanë një rrezik më të ulët vdekjeje krahasuar me ata që nuk e konsumojnë.

Kjo lidhet me përbërësit natyralë të kafes si antioksidantët dhe kafeina, të cilët mund të ndikojnë pozitivisht në zemër, nivelin e sheqerit në gjak dhe funksionet e trurit.

Kafja është lidhur gjithashtu me përfitime të tjera si përmirësimi i përqendrimit, rritja e energjisë fizike, mbrojtja e mëlçisë dhe ulja e rrezikut për disa sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri.

Në përgjithësi, ekspertët theksojnë se kafja mund të jetë një pije e shëndetshme nëse konsumohet me masë dhe pa tepruar me sheqer.