Eliminimi nga Kupa, Gvozdenoviç: Patjetër që jemi të mërzitur, por jeta dhe futbolli vazhdojnë! Trajneri i Elbasanit zbulon planin e ri

Elbasani i ka dhënë fund rrugëtimit në Kupën e Shqipërisë, pas një eliminimi dramatik nga Egnatia me anë të penalltive. Megjithëse zhgënjimi është i pranishëm, trajneri i skuadrës, Ivan Gvozdenoviç, sqaron se ekipi nuk ka kohë për të vajtuar, pasi objektivat madhorë të sezonit janë ende përpara.

Në një intervistë dhënë për emisionin “Sport Focus” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Anila Zyberaj, tekniku serb e cilësoi humbjen ndaj rrogozhinasve si një çështje fati.

"Patjetër që jemi të mërzitur, por jeta dhe futbolli vazhdojnë," deklaroi ai, duke shtuar se është "shumë i kënaqur" me paraqitjen e lojtarëve të tij. Sipas Gvozdenoviç, ekipi bëri maksimumin dhe ishte thjesht i pafat në momentin e penalltive, ndërsa loja ishte e fortë nga të dyja anët taktikisht dhe fizikisht.

Me Kupën tashmë një kapitull i mbyllur, fokusi i plotë i Elbasanit zhvendoset te kampionati. Skuadra ka arritur tashmë një nga objektivat kryesorë të klubit, sigurimin e një vendi në "Final Four", një arritje që konsiderohet si surpriza e këtij sezoni. Tani, synimi është titulli kampion. "Deri tani kemi arritur një objektiv kryesor. Tani do të luftojmë për kampionatin. Jemi në rrugën e duhur," theksoi trajneri.

Prova e parë dhe më e rëndësishmja në këtë fazë finale është përballja e ardhshme kundër Vllaznisë, një sfidë që shihet si një test i rëndësishëm dhe njëkohësisht si një paralojë e përballjes së mundshme në "Final Four".

Duke folur për ndeshjet e mbetura, veçanërisht ato kundër ekipeve në fund të renditjes si Bylis, Vora dhe Tirana, Gvozdenoviç paralajmëroi se nuk do të jenë aspak të lehta. "Është shumë e vështirë të fitosh kundër skuadrave që luftojnë për mbijetesë, sepse ato kanë një motiv tjetër," u shpreh ai, duke hedhur poshtë idenë e ndeshjeve të lehta.

I pyetur mbi fenomenin e shumëpërfolur të "tolerimit" nga skuadrat që kanë siguruar objektivat e tyre, trajneri ishte i prerë. Ai e mohoi kategorikisht një mundësi të tillë, duke argumentuar se çdo pikë ka vlerë maksimale për Elbasanin për të siguruar një pozicion sa më të favorshëm në "Final Four". "Për mua këtu nuk ka logjikë," përfundoi ai, duke shuar çdo dyshim për një qasje të lehtësuar në ndeshjet e fundit.

Së fundi, Gvozdenoviç komentoi edhe situatën e vështirë të Tiranës, duke pranuar se rënia e tyre nga kategoria do të ishte një humbje për futbollin shqiptar. "Tirana është një klub i madh, me traditë. Nuk është njësoj me Tiranën dhe pa Tiranën," tha ai, por theksoi se gjithçka do të vendoset në fushën e lojës.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME TRAJNERIN IVAN GVOZDENOVIÇ