Jo çdo 'shpërthim' është mosbindje/ Si t'i ndihmoni fëmijët të shprehin dhe menaxhojnë emocionet e tyre
Reagimet e forta emocionale tek fëmijët janë të zakonshme dhe shpesh krijojnë lodhje dhe paqartësi tek prindërit. Megjithatë, këto sjellje nuk lidhen domosdoshmërisht me mosbindje, por janë mënyra se si fëmijët përpiqen të shprehin ndjenja që ende nuk dinë t’i artikulojnë me fjalë.
Ekspertët e zhvillimit të fëmijës nënvizojnë rëndësinë e ndërtimit të një fjalori emocional që në moshë të vogël. Kur një fëmijë mëson të emërtojë ndjenja si zemërim, frikë apo trishtim, ai arrin t’i kuptojë dhe t’i menaxhojë më mirë ato.
Fëmijëria e hershme është një periudhë kur emocionet janë të forta dhe shpesh të paqarta. Në mungesë të fjalëve të duhura, fëmijët i shprehin ato përmes sjelljes, që mund të duket e vështirë për prindërit. Ndihma e tyre në këtë fazë është vendimtare.
Zhvillimi i aftësive për të shprehur ndjenjat ndikon drejtpërdrejt në vetëkontrollin, empatinë dhe mënyrën si fëmijët zgjidhin problemet. Këto aftësi ndikojnë më vonë në suksesin në shkollë dhe në marrëdhëniet me të tjerët.
Procesi nis në përditshmëri, pa pasur nevojë për mjete të veçanta. Fëmijët mësojnë duke parë dhe dëgjuar të rriturit. Kur prindërit flasin hapur për emocionet dhe tregojnë mënyra të shëndetshme për t’i përballuar, fëmijët e përvetësojnë këtë sjellje.
Përfshirja e lojës në këtë proces e bën më të lehtë dhe më natyrale të mësuarit. Në këtë mënyrë, fëmijët rriten duke kuptuar se çdo ndjenjë është normale dhe se ka mënyra për ta përballuar atë.

