Shkak pazaret e dr*gës, përplasje me a*më mes shqiptarëve dhe afrikanëve në Itali

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15. Sipas informacioneve, dy shtetasit shqiptarë ndodheshin në një bar duke konsumuar kafe, kur i janë afruar dy persona të tjerë me origjinë nga Afrika e Veriut. Përplasja mes tyre ka nisur menjëherë dhe ka degjeneruar në dhunë fizike.

Më pas, shqiptarët janë larguar me vrap drejt një dyqani cigaresh në rrugën Santa Croce, por janë ndjekur nga dy personat e tjerë. Edhe brenda dyqanit konflikti ka vijuar, këtë herë i shoqëruar me të shtëna arme, ku një person ka mbetur i plagosur në shpatull.

Të frikësuara nga situata, pronarja e dyqanit dhe nëna e saj janë strehuar në pjesën e pasme të ambientit, duke shpëtuar pa lëndime, megjithëse në gjendje të rënduar psikologjike.

Fillimisht u dyshua për një tentativë grabitjeje, por hetimet paraprake të mediave italiane sugjerojnë se përplasja mund të lidhet me konflikte të mundshme në fushën e narkotikëve.

Të katër personat janë shoqëruar nga policia, ndërsa autoritetet në Trento vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.