GODITJE KRIMIT, REND E SIGURI! Kryepolici Hita porosi për vartësit në Tiranë: Më shumë angazhim

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kërkoi më shumë angazhim dhe goditje të fortë ndaj kriminalitetit, veçanërisht trafikut të drogës dhe veprimtarive të paligjshme në Tiranë.  Në takimin e parë me vartësit në kryeqytet, Ai theksoi nevojën për rritjen e prezencës policore dhe reagim në kohë ndaj shqetësimeve të qytetarëve, me synim forcimin e rendit dhe sigurisë

Luftë kundër çdo forme të kriminalitetit dhe masa për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ndau porosi të qarta në takimin e parë me drejtuesit e Policisë së Tiranës, shefat e komisariateve dhe drejtuesit e sektorëve në varësi.

Hita kërkoi më shumë angazhim, përkushtim dhe profesionalizëm për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit, veçanërisht të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe kultivimit të kanabisit, si në terrene të hapura ashtu edhe në ambiente të mbyllura.

Vëmendje të shtuar kryepolici kërkoi ndaj armëmbajtjes pa leje, krimeve ekonomike, lojërave të fatit dhe call center-ave të paligjshëm, si dhe ndaj trafiqeve dhe krimeve mjedisore, përfshirë lirimin e hapësirave publike, ndërtimet pa leje dhe ndotjen e mjedisit.

Rendi dhe siguria në tërësi, e në veçanti siguria në shkolla, siguria kibernetike dhe ajo rrugore, ishin ndër prioritetet e tjera të përcaktuara për drejtuesit e Policisë së Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar, Hita kërkoi rritje të prezencës policore dhe të kapaciteteve profesionale, me qëllim parandalimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të parametrave të sigurisë në kryeqytet.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e adresimit dhe ndjekjes në dinamikë të shqetësimeve dhe denoncimeve të qytetarëve, duke nënvizuar se ligji dhe qytetari janë parësorë për Policinë e Shtetit.

“Besimi i qytetarëve fitohet me punë dhe sjellje korrekte”, citohet të ketë deklaruar drejtori i Policisë, ndërsa u kërkoi drejtuesve të jenë sa më pranë punonjësve në terren, t’i mbështesin dhe t’i motivojnë në përmbushjen e detyrave.