Dine: Instinkti i mbijetesës nga vitet e trazuara reflektohet ende në sjelljen e shqiptarëve
E ftuar në studion e Ora News, psikologia Borjana Dine trajtoi një nga fenomenet më shqetësuese të shoqërisë shqiptare: rritjen e agresivitetit në përditshmëri.
Sipas saj, reagimet agresive të shoqërisë nuk lidhen me një shkak të vetëm, por janë rezultat i një sërë faktorësh historikë, socialë dhe ekonomikë që kanë ndikuar ndër vite.
Në nivel makro, ajo theksoi se vetë historiku i rajonit tonë ka ndikuar në formimin e një temperamenti më gjaknxehtë, ku popujt e Ballkanit shpesh reagojnë më shpejt ndaj tensioneve.
Një nga momentet kyçe që ka lënë gjurmë të thella në psikologjinë kolektive, sipas psikologes, është Kriza e vitit 1997 në Shqipëri, periudhë e cila krijoi trauma të forta dhe mekanizma mbrojtës te qytetarët.
Në atë kohë, instinkti i mbijetesës u bë dominues dhe shumë njerëz u detyruan të përballen me pasiguri ekstreme për jetën dhe pronën.
Një shembull i dukshëm i këtij fenomeni është sjellja në trafik, e cila shpesh pasqyron nivelin e tensionit social. Sipas saj, shkelja e rregullave dhe përpjekja për të dalë i pari me çdo kusht kanë krijuar një kulturë ku individët që sillen si “të fortë” perceptohen si më të suksesshëm, ndërsa qetësia dhe respektimi i rregullave shpesh shihen si dobësi.
Psikologia paralajmëron se rreziku më i madh është normalizimi i sjelljeve negative, ku antivlerat mund të kthehen në standard shoqëror.
Ajo thekson se për të ndryshuar këtë realitet, nevojitet jo vetëm ndërgjegjësim individual, por edhe përmirësim i funksionimit të institucioneve dhe ulje e pasigurive ekonomike që rëndojnë mbi qytetarët.
Ndiqni intervistën e plotë:
