Shtëpia e Bardhë: Trump ende nuk e ka pranuar propozimin për një a*mëpushim 45-ditor me Teheranin
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Irani, kanë marrë një plan me dy faza për përfundimin e luftës, raporton Reuters. Plani vjen përmes Pakistanit, i cili është i vetmi vend që komunikon me të dyja palët në këto bisedime.
Sipas raportimeve, marrëveshja përbëhet nga “dy faza”. Ajo parashikon një armëpushim të menjëhershëm, i ndjekur më vonë nga një marrëveshje më gjithëpërfshirëse.
Axios ka raportuar se po bisedohet për një armëpushim 45-ditor. Por më herët, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Presidenti Donald Trump ende nuk e ka pranuar propozimin për armëpushimin 45 ditor mes ShBA dhe Iranit.
Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar se ka kthyer përgjigje lidhur me planin ku janë përpiluar një sërë kërkesash “të bazuara në interesat” e tij, por sipas tyre, do të publikohet në “momentin e duhur.”
Bisedime vijnë pas një momenti të tensionuar sepse një ditë më parë, presidenti Donald Trump i vuri afat Teheranit që të hapë Hormuzin deri të martën.
Një zyrtar i lartë iranian ka përjashtuar mundësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit si pjesë e armëpushimit të përkohshëm.
Por pavarësisht bisedimeve për arritjen e paqes, luftimet në rajon vijojnë. Irani ka konfirmuar gjithashtu se shefi i inteligjencës i Gardës Revolucionare Islamike është vrarë, një akt për të cilin Izraeli ka konfirmuar autorësinë.
Sipas Iranit, SHBA nuk është e gatshme për një armëpushim, ndërsa zëvendëspresidenti i vendit e ka akuzuar Donald Trump për “çmenduri” lidhur me raportimet për sulme të reja që goditën një universitet në Teheran.
Nga ana tjetër, ditën e sotme raportohet se Izraeli dhe SHBA-të kanë sulmuar 2 uzina petrokimike të Iranit.
