L*fta në Lindjen e Mesme/ Pekini bën thirrje për një a*mëpushim në Iran dhe një zgjidhje për t'i dhënë fund krizës
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i ka thënë homologut të tij rus, Sergei Lavrov, me të cilin pati një bisedë telefonike sot se Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë me Rusinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe të bëjë përpjekje për të de-përshkallëzuar situatën në Lindjen e Mesme.
Wang tha se mënyra kryesore për të zgjidhur çështjen e lundrimit të sigurt në ngushticën e Hormuzit është arritja e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur. Ai tha se Pekini ka mbrojtur gjithmonë një zgjidhje politike të krizave përmes dialogut dhe negociatave.
Mediat shkruajnë se të dy ministrat folën përpara votimit që do të mbahet këtë javë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi projekt-rezolutën e Bahreinit për mbrojtjen e lundrimit në rajonin Hormuz. Wang u shpreh se Kina dhe Rusia, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, duhet të miratojnë një qasje objektive dhe të ekuilibruar dhe të kërkojnë mirëkuptimin dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme ruse, dy ministrat diskutuan mënyrat për të arritur një armëpushim dhe për të nisur një dialog politiko-diplomatik. Moska mirëpret qasjet e mbivendosura të Rusisë dhe Kinës për shumicën e çështjeve ndërkombëtare, përfshirë situatën në Iran për shkak të sulmit të paprovokuar nga SHBA dhe Izraeli, shtoi ai.
