EPIDEMIA KËRCËNON KOALAT! Kërkohen zgjidhje afatgjata përballë sëmundjes së rëndë

Koalat në Australi po përballen me një krizë serioze për mbijetesën, për shkak të një epidemie të përhapur të klamidias. Sëmundja shkakton pasoja të rënda si verbëri, infertilitet dhe shpesh vdekje. Një nga shpresat kryesore mbetet popullata në ishullin Kangaro, që nuk është prekur nga infeksioni.

Në Australi, koalat po përballen me një kërcënim serioz për mbijetesën e tyre.

Shkak është bërë një epidemi e përhapur, e cila në disa zona prek deri në 88% të popullsisë.

Klamidia, një infeksion bakterial, mund të shkaktojë verbëri, infertilitet dhe shpesh çon në vdekje, duke e bërë sëmundjen një nga rreziqet më të mëdha për këtë specie ikonike.

Megjithatë, një shpresë e rëndësishme vjen nga Kangaroo Island, një ishull ku ky rast nuk është regjistruar kurrë.

Këtu jeton një nga popullatat më të mëdha të koalave pa klamidia në botë.

Për shkencëtarët, kjo popullatë përfaqëson një lloj sigurimi natyror për të ardhmen e specieve.

Por edhe këto koala përballen me një problem tjetër, izolimi për më shumë se një shekull ka bërë që ato të kenë shumë pak diversitet gjenetik.

Kjo i bën më të dobëta dhe më të ndjeshme ndaj sëmundjeve dhe ndryshimeve në mjedis.

Shkencëtarët tani po punojnë për të zgjidhur këtë problem përmes një metode të quajtur shpëtim gjenetik.

Ata planifikojnë të sjellin koala nga kontinenti me diversitet më të madh gjenetik dhe t’i bashkojnë me ato të ishullit, për të forcuar popullatën.

Edhe pse ekziston një vaksinë e re kundër klamidias, e cila mund të ulë ndjeshëm vdekshmërinë, është shumë e vështirë të përdoret në shkallë të gjerë në natyrë. Për këtë arsye, kombinimi i mbrojtjes së habitatit, përmirësimit gjenetik dhe trajtimit mjekësor shihet si rruga më e mirë për shpëtimin e specieve.

Situata e koalave është përkeqësuar edhe nga faktorë të tjerë, si zjarret masive të viteve 2019-2020, të njohura si Black Summer bushfires, të cilat shkatërruan habitatin dhe vranë rreth 80% të koalave në ishull.

Humbja e habitatit dhe ndryshimet klimatike po e përshpejtojnë edhe më shumë rënien e tyre.