Moza Ahmeti, shembulli i autenticitetit në ekran

Unë quhem Koloreto Cukali dhe jam Skenaristi i piranjave.

Dhe më duket shumë interesante ajo që po ndodh me Moza Ahmetin.

Sepse në një kohë kur televizionet, reality show-t, talk show-t, talent show-t, të gjitha duken sikur kanë vetëm një objektiv: të prodhojnë klikime përmes sherrit, konfliktit dhe banalitetit….

Ja ku del një grua, shkrimtare, me dy-tri fjali inteligjente, me prezencë, me personalitet… dhe e bën publikun të dashurohet me të. Vetëm në 5 ditë!

Për mua, fenomeni Moza Ahmetit, nuk ka të bëjë veëtm me lodhjen nga televizioni i keq, por dhe nga falsiteti. Ajo është kontrasti i madh dhe me showbizin shqiptar: aty ku gjithçka është një shtirje e madhe, ajo, është vetvetja. Dhe pa u sforcuar. Pa silikon. Pa 1 milion fansa. Pa foto gjysmë nudo në jahte të shtrenjta, pa na përplasur ballit luksin, shpesh të rremë, për të na treguar që vlen.

Ne e duam Mozën tek Ferma, sepse na kujton se çfarë do të thotë të jesh e lirë. E lirë, për të thënë atë që mendon, ashtu si e mendon. Pa patur frikë. Si do të gjykojnë, si do të komentojnë, a do të të sponsorizojnë, dhe…a do ta lejojnë pronarët?

Moza, është shembulli, i përkohshëm e kalimtar (si të gjithë shembujt e mirë), se si do ishte Shqipëria me më shumë artistë e më pak ‘modele’, influencerë e analistë në ekrane.

Jo se nuk ka artistë. Por nuk janë të lirë.Ne mund të kishim pasur më shumë ‘Moza’ në këtë vend, por për fat të keq e humbën lirinë nëpër projekte bashkie e leje për të ekspozuar te ‘Kodi’.

A do ta ndryshojë televizionin ardhja e ikja e Moza Ahmetit?

Nuk besoj. Problemi është shumë më i thellë.

Mënyra si konceptohet e drejtohet sot televizioni si biznes edhe si financë, nuk lë vend për njerëz ndryshe; degradimi i arsimit e kulti i injorancës; apo mbështetja e artit vetëm nëse është në kopshtin qeveritar… të gjitha këto, nuk krijojnë hapësirë për të kultivuar mimoza.

Por unë shpresoj që, pas kësaj vale dashurie për Mozën, të paktën t'i shiten ca libra.

Moza Ahmeti, shembulli i autenticitetit në ekran