Çfarë po mëson Xi nga lufta në Iran?

Lufta në Iran po i jep Pekinit mundësi për të parë në kohë reale se si Shtetet e Bashkuara zhvillojnë luftë moderne.Kjo luftë ka treguar shtrirjen e fuqisë ushtarake amerikane, por ka ngritur edhe pyetje rreth aftësisë së Uashingtonit për të menaxhuar kriza të shumta njëkohësisht.
Për Pekinin, ky kombinim mund të ndikojë në mënyrën se si ai e vlerëson rrezikun apo kohën në ndonjë përballje të ardhshme me Shtetet e Bashkuara, apo me Tajvanin.

Për të kuptuar më mirë se çfarë po mëson Kina nga Irani, Radio Evropa e Lirë bisedoi me gjeneralin në pension nga Australia, Mick Ryan.

Mick Ryan: Ka shumë mësime, por më i rëndësishmi që Xi ndoshta ka nxjerrë, është se ushtria amerikane mbetet një organizatë shumë e fuqishme.

Ajo mund të përdorë forcë të jashtëzakonshme dhe të kryejë operacione të qëndrueshme dhe të sakta – të paktën nga ajri dhe nga deti – për një periudhë kohore.

Kjo do të jetë shumë e rëndësishme për të dhe për Ushtrinë Çlirimtare Popullore (PLA), nëse ndonjëherë vendosin të ndërmarrin ndonjë bllokadë ose pushtim të Tajvanit.

REL: Lufta po ndodh brenda një konteksti më të gjerë, prandaj, nëse po flasim për mësimet që Xi mund t’i nxjerrë nga lufta në Iran, si duhet të kuptohet roli i fuqisë ushtarake amerikane në këtë pamje më të gjerë?

Mick Ryan: Pavarësisht aftësisë shumë të madhe të ushtrisë amerikane, ajo po përdoret nga një administratë që mund të bëjë vetëm një luftë në të njëjtën kohë.

Fokusi i administratës duket se lejon vetëm këtë, ndërsa shumë nga mekanizmat normalë të mbështetjes për vendimmarrje, që zakonisht kalojnë përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, janë hequr.

Vendimet duket se po merren më shumë sipas impulseve, dhe, siç e kemi parë nga ndryshimet e shumta të objektivave strategjike në këtë luftë, kemi të bëjmë me një administratë që nuk e ka problem të nisë një operacion të tillë, pa e pasur domosdoshmërisht të qartë se çfarë dëshiron të arrijë nga një konflikt me përmasa të mëdha.

REL: Si mund të aplikohet kjo në një situatë të tillë si Tajvani? Si mund të ndikojë në përgatitjet e tij, ose në veprimet që do të ndërmerren në vitet e ardhshme?

Mick Ryan: Mendoj se kjo u tregon kinezëve se, nëse kanë një strategji më të mirë, kanë edhe një shans më të madh për sukses. Të jesh i aftë në operacione ushtarake, është e rëndësishme. Nëse nuk mund të fitosh beteja, nuk mund të fitosh luftëra.

Por, strategjia është edhe më e rëndësishme. Dhe, të kesh supozimet e duhura strategjike dhe mekanizmat e duhur për vendimmarrje… është diçka që kinezët mund të mendojnë se e bëjnë më mirë se Shtetet e Bashkuara.

Një diferencë në strategji gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të një lufte mund të jetë një avantazh real.

REL: Folët për njëfarë impulsiviteti që vjen nga Uashingtoni. Për Pekinin, mendoj se kjo mund të ketë dy drejtime, apo jo?

Mick Ryan: Po, absolutisht. Qartazi, është një shpatë me dy tehe.

Siç do ta kuptonin amerikanët… gjenerali Stonewall Jackson ishte një shembull i shkëlqyer i një udhëheqësi të paparashikueshëm nga Lufta Civile e SHBA-së.

Ai ishte i njohur për paparashikueshmërinë që i shkaktonte dëm armikut, por që, herë pas here, dëmtonte edhe forcat e veta. Mendoj se presidenti amerikan, Donald Trump, është në të njëjtin stil.

Ai është jashtëzakonisht i paparashikueshëm, dhe kinezët ndihen të shqetësuar nga kjo paparashikueshmëri. Trump është shumë ndryshe nga çdo paraardhës i tij, dhe kinezët nuk mund të parashikojnë realisht se si do të reagojë ndaj ndonjë ngjarjeje, sepse ai, thjesht, vepron në mënyrë të paparashikueshme.

Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, do ta shtyjë Xinë dhe Ushtrinë Çlirimtare Popullore të tregojnë kujdes, për shkak të pasigurisë së thellë ndaj vendimmarrjes së Trumpit.

REL: Po flasim tani për luftën në Iran, por një luftë tjetër që po zhvillohet tash e disa vite, është ajo në Ukrainë. Çfarë mësimesh kanë nxjerrë kinezët nga Ukraina dhe si mund të kombinohen ato me mësimet nga Irani?

Mick Ryan: Kinezët kanë qenë shumë të mirë në studimin e luftërave të popujve të tjerë – që nga Lufta e Ishujve Falkland në vitin 1983 [midis Britanisë dhe Argjentinës] dhe gjatë gjithë 43 vjetëve pasues.

Ata kanë nxjerrë mësime politike rreth asaj se si funksionon NATO-ja si aleancë dhe si i merr vendimet. Ata kanë nxjerrë gjithashtu mësime rreth asaj se si mund t’i ndajnë aleatët e NATO-s nga Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se kanë nxjerrë mësime edhe rreth fushatës globale të dezinformimit dhe kryerjes së luftës së informacionit.

Pastaj janë edhe ato të dukshmet rreth luftës me dronë. Në paradën e fundit të madhe ushtarake, vitin e kaluar, të gjitha automjetet e blinduara që kishte shfaqur Ushtria Çlirimtare Popullore, kishin dronë mbi to.

Ata i kanë marrë këto mësime nga Ukraina dhe i kanë përforcuar nga mësimet e marra nga lufta aktuale në Iran.