VIDEO/ Shembet godina që pengonte hapjen e rrugës Transballkanike - Porti i Vlorës

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërhyri këtë të premte për shembjen e objektit të fundit që bllokonte hapjen e plotë të rrugës lidhëse mes Transballkanikes dhe Portit të Vlorës, në lagjen “1 Maj”.

Godina trekatëshe, e cila prej kohësh kishte penguar vijimin e projektit infrastrukturor, u prish me mjete të rënda, duke mundësuar përfundimin e këtij segmenti.

Sipas burimeve zyrtare, vonesat në ndërhyrje ishin shkaktuar nga kundërshtimet e pronarëve të objektit, të cilët kishin hapur çështje gjyqësore, duke mos rënë dakord me vlerën e dëmshpërblimit të ofruar. Kjo kishte pezulluar për një periudhë të gjatë ekzekutimin e vendimit për shembje.