Krimi në Torino/ Apeli përmbys pafajësinë, Andrea Fagnoni dënohet me mbi 6 vite burg për vr*sjen e Fatmir Arës

Gjykata e Apelit në Torino ka ndryshuar vendimin për një nga të përfshirët në vrasjen e Fatmir Arës, i njohur si “Miri”. Andrea Fagnoni, i cili në gjykimin e parë ishte shpallur i pafajshëm, është dënuar tani me 6 vite, 2 muaj e 20 ditë burg, pasi e shoqëroi me makinë autorin drejt vendit ku ndodhi krimi.

Përveç dënimit, ai do të ketë edhe mbikëqyrje për disa vite pas daljes nga burgu.

Dënimi i autorit kryesor, Davide Osella Ghena, mbetet i njëjtë, burgim i përjetshëm.

Gjykata konfirmoi pafajësinë e motrës së Fagnonit, e cila ishte akuzuar për sigurimin e armës së krimit.

Ngjarja ndodhi më 2 shtator 2022 në San Carlo Canavese pranë Torinos, ku Fatmir Ara u qëllua për vdekje me armë gjahu.

Hetimet tregojnë se motivi ka qenë konflikt për para, pasi shqiptari po punonte për rikonstruksionin e një prone në pronësi të autorit dhe partneres së tij.

Fatmir Ara, babai i katër fëmijëve, ishte i njohur në zonë si “Miri” dhe kishte kaluar edhe më parë probleme me ligjin, përfshirë një dënim prej tre vitesh burg në 2018 dhe akuza për dhunë dhe mbajtje armësh pa leje.

Ai u gjet i vdekur më 4 shtator, dy ditë pasi ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët.