"Edhe pse e mbrojtur nga NATO, Shqipëria të forcojë mbrojtjen ajrore"/ Hajdini: Përvoja e Ukrainës me dronët iranianë, një model për ne

Në një lidhje direkte për Ora News në hapësirën "Për shqiptarët" ishte profesor Ilir Hajdini i cili foli mbi paralajmërimin e SHBA-së për rrezikun nga Irani dhe pasojat e mundshme për Ballkanin dhe Shqipërinë.

Hajdini tha se ambasada amerikane ka ngritur nivelin e rrezikshmërisë dhe se Shqipëria duhet ta marrë këtë kërcënim seriozisht, edhe pse mbrohet nga NATO.

Ai theksoi se situata e tensionuar në Lindjen e Mesme, veçanërisht sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, e bëjnë vendin një objektiv potencial për rritjen e vigjilencës.

“Edhe pse Shqipëria është nën mbrojtjen e NATO-s, duhet të shikojë mundësitë për të forcuar mbrojtjen e hapësirës ajrore. Përvoja e Ukrainës me dronët iranianë mund të jetë një model për ne.”-u shpreh Hajdini.

Ai vuri në dukje se tensionet rajonale dhe deklaratat e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për sulme të shpejta dhe vendimtare, së bashku me gatishmërinë e SHBA-së për intensifikim të operacioneve, bëjnë situatën të paparashikueshme.

“Trump ka thënë se forcat amerikane do të tërhiqen brenda dy-tri javësh, por ekzistojnë shumë analiza dhe kundërthënie. Kjo tregon se e ardhmja e rajonit mbetet e paqartë dhe kërkon vigjilencë maksimale nga Shqipëria.”-shtoi ai.

Hajdini përfundoi duke sugjeruar që Shqipëria të përdorë këtë moment për të rritur aftësitë mbrojtëse dhe të marrë eksperiencë nga vendet e tjera që përballojnë kërcënime të ngjashme.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: