"Osmani do shihet si 'elektron i lirë' pas zgjedhjeve"/ Hoxha: Ka mundësi të mbulojë një elektorat të ri
Në një lidhje direkte për Ora News, në hapësirën “Për shqiptarët” ishte Ylli Hoxha, analist politik, për të folur mbi rolin e Vjosa Osmanit pas zgjedhjeve të 4 prillit dhe ndikimin e mundshëm në skenën politike të Kosovës.
Hoxha shpjegoi se pas zgjedhjeve Osmani do të shihet si një “elektron i lirë” politik, që mund të kërkojë një strehë të re për angazhimin e saj.
Analisti tha se ka spekulime për një dialog mes Osmanit dhe LDK-së, parti nga e cila ajo u largua për t’u bashkuar më parë me Vetëvendosjen.
“Osmani ka mundësinë të mobilizojë një elektorat të ri, përfshirë aktivistë të shoqërisë civile që nuk kanë qenë pjesë e politikës deri tani. Kjo mund të rrisë taborin e saj elektoral dhe të dëmtojë Vetëvendosjen në pjesë të votuesve që e mbështetën më parë.”- tha ai.
Hoxha theksoi se fuqia e Osmanit nuk buron nga struktura e listës Guxo, por nga konstituenca dhe votuesit që e mbështetën personalisht.
Ai parashikon se pjesa më e madhe e kësaj peshë elektorale mund të transferohet drejt LDK-së.
“Maksimumi i votave që Osmani mund të marrë nuk do të sjellë që Vetëvendosje të bjerë nën pragun e 40 deputetëve, numër i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Por risia është prezenca e saj si aktor politik i pavarur.”-tha Hoxha.
Analisti përfundoi se, pavarësisht kësaj lëvizjeje, ngërçi politik për postin e presidentit ka gjasa të mbetet i pazgjidhur në të ardhmen e afërt.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ORA NEWS:

