REGJISTRIMI MË I MADH I POPULLSISË NË BOTË/ Indi, regjistrimi i fundit i zhvilluar në vitin 2011 tregoi një popullsi prej 1.21 miliardë banorësh

India ka nisur regjistrimin më të madh të popullsisë në botë. Ky proces do të zgjasë deri në prill të vitit të ardhshëm dhe pritet të ndikojë në politikat sociale dhe përfaqësimin politik në vend.

India ka nisur regjistrimin më të madh të popullsisë në botë, një proces që pritet të ndikojë ndjeshëm në politikat sociale dhe përfaqësimin politik në vend.

Regjistrimi i fundit, i zhvilluar në vitin 2011, tregoi një popullsi prej 1.21 miliardë banorësh, ndërsa sot vlerësohet se India ka mbi 1.4 miliardë banorë, duke e bërë shtetin më të populluar në botë.

Ky regjistrim ishte planifikuar fillimisht për vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe vështirësive logjistike.

Procesi ka nisur dhe do të zgjasë deri në shtator për fazën e parë, gjatë së cilës punonjësit do të mbledhin të dhëna mbi banesat, kushtet e jetesës dhe infrastrukturën.

Risia këtë herë është kombinimi i metodave tradicionale me teknologjinë digjitale. Qytetarët do të kenë mundësi të regjistrohen edhe përmes një aplikacioni në telefon, i cili përdor gjuhë të ndryshme dhe mbështetet në hartëzim satelitor.

Faza e dytë, që do të zhvillohet nga shtatori deri në prillin e ardhshëm, do të përqendrohet në të dhëna më të detajuara sociale dhe ekonomike, përfshirë fenë dhe përkatësinë sipas rendit shoqëror.

Sistemi i kastave në India është një strukturë e lashtë shoqërore që ndikon në statusin social dhe aksesin në arsim, punësim dhe burime ekonomike.

Regjistrimi i plotë i tyre nuk është bërë që nga viti 1931, gjatë periudhës koloniale britanike.

Qeveritë e njëpasnjëshme kanë shmangur një numërim të tillë të detajuar, nga frika se mund të rrisë tensione sociale.

Mbi 3 milionë punonjës pritet të angazhohen në këtë proces, duke mbledhur të dhëna nga qindra miliona familje në të gjithë vendin.

Të dhënat e këtij regjistrimi janë thelbësore për shpërndarjen e programeve sociale dhe hartimin e politikave publike. Ato mund të çojnë gjithashtu në rishikimin e ndarjes së zonave elektorale dhe rritjen e numrit të vendeve në parlament, për të reflektuar rritjen e popullsisë.

Një zhvillim i tillë mund të ndikojë edhe në përfaqësimin e grave, pasi një ligj i vitit 2023 parashikon që një e treta e vendeve në parlament t’u rezervohet atyre.