Aleatët e G7-s shtyjnë Uashingtonin për uljen e tensioneve në LM

Ministrat e Jashtëm të G7-s filluan sot një takim pranë Parisit, pa sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, me qëllimin e deklaruar për të shtyrë Uashingtonin drejt uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme, por duke mos harruar Ukrainën.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së do t’u bashkohet homologëve të tij nesër në mëngjes, në Abbaye des Vaux-de-Cernay, pranë Rambouillet, rreth 50 kilometra nga Parisi.

Gjermania, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia sinjalizuan qartë dëshirën e tyre për të gjetur një zgjidhje diplomatike për ofensivën ushtarake SHBA-Izrael në Iran, e cila ka pasoja ekonomike globale për shkak të bllokadës së Teheranit në Ngushticën e Hormuzit për gati një muaj.

Me mbërritjen e saj, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas sugjeroi që Shtetet e Bashkuara të ushtronin më shumë presion mbi Rusinë duke argumentuar se luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme ishin “të lidhura ngushtë”.

“Po shohim që Rusia po i jep informacione sekrete Iranit për të synuar dhe vrarë amerikanë në Lindjen e Mesme dhe Rusia tani po furnizon gjithashtu me dronë Iranin në mënyrë që të mund të sulmojë vendet fqinje, si dhe bazat ushtarake amerikane”, u tha ajo gazetarëve.

“Nëse Amerika dëshiron që lufta në Lindjen e Mesme të përfundojë, (…) ajo duhet të ushtrojë presion edhe mbi Rusinë në mënyrë që ajo të mos mund ta ndihmojë Iranin në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Nga ana e saj, ministrja e Jashtme kanadeze Anita Anand i bëri thirrje G7-s që të mbështesë “kolektivisht” shpërshkallëzimin në Lindjen e Mesme.

“Për qeverinë gjermane, është shumë e rëndësishme të dijë saktësisht se çfarë synojnë të bëjnë partnerët tanë amerikanë”, theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, mes konfuzionit rreth negociatave të mundshme të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Teheranit për t’i dhënë fund luftës.

Irani thuhet se i është përgjigjur propozimit të shpallur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe të marrë përmes ndërmjetësit pakistanez, tha sot një burim i cituar nga agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim.

I dërguari amerikan Steve Witkoff pohoi se kishte “sinjale të forta” që tregonin se Teherani dëshiron të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, të mërkurën, televizioni shtetëror kishte pohuar se Irani e kishte refuzuar planin, ndërsa Shtëpia e Bardhë kërcënoi se do të lëshonte “ferrin” mbi vendin nëse negociatat dështojnë.

Franca, e cila mban presidencën e G7 këtë vit, gjithashtu mbështet një qasje diplomatike, duke pasur frikë se do të përfshihet në konflikt.

Edhe pse mban baza ushtarake në monarkitë e Gjirit me të cilat ka marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë, ajo ka theksuar vazhdimisht se qëndrimi i saj është “thjesht mbrojtës”.

Seanca kryesore e punës mbi luftën në Lindjen e Mesme në G7 do të mbahet nesër.

Italia synon të “nxisë uljen e tensioneve” dhe të sigurojë “për gatishmërinë e saj për të kontribuar në përpjekjet që synojnë garantimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”, sipas një burimi diplomatik italian.

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të mbledhin rreth 30 vende këtë javë, të gatshme për të formuar një koalicion për të marrë pjesë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.

Përveç Lindjes së Mesme, ministrat e G7-s do t’i kushtojnë një seancë pune Ukrainës, e cila është pushtuar nga Rusia.

Duke treguar vështirësinë në arritjen e një konsensusi, ky takim do të përfundojë po nesër, me publikimin e një deklarate nga presidenca franceze, në vend të një deklarate të përbashkët.