INTERVISTA/ Ana tjetër e një Kampioni! Gjetan Keta: Flija në ring, punoja 10 herë më shumë se gjermanët për të pasur sukses

Pas një pauze dyvjeçare, boksieri i njohur shqiptar nga dinastia e kampionëve Keta, Gjetan Keta ka lajmëruar rikthimin e tij në ring, duke shprehur siguri të plotë për një fitore të radhës.

Ndeshja e tij e fundit ishte një demonstrim force, ku arriti të mposhtte kundërshtarin në raundin e parë në vetëm pak më shumë se dy minuta, me një goditje të fuqishme në mëlçi, e cila është kthyer në një lëvizje tipike të stilit të tij.

Por përtej fitoreve spektakolare, në studion e lajmeve në "Ora News" Gjetan Keta rrëfeu rrugëtimin drejt majave, i cili siç tha ai, ka qenë i mbushur me sakrifica të jashtëzakonshme. Duke u kthyer pas në kohë, në vitet 1999-2000, kampioni rrëfen fillimet e vështira si emigrant në Greqi e më pas në Gjermani.

Ai zbulon se për të ndjekur ëndrrën e tij, i është dashur të përballet jo vetëm me vështirësi ekonomike, por edhe me racizëm.

“Më është dashur të punoja 10 herë më shumë se një gjerman për të marrë një mundësi,” shprehet ai, duke shtuar se vetëm me punë të palodhur dhe disiplinë absolute arriti të fitonte respektin dhe shansin për të treguar veten.

Sakrificat ishin aq të mëdha, sa boksieri tregon se ka pasur raste kur i është dashur të flejë në ring, pasi mundësitë ishin tepër të pakta.

Trashëgimia e familjes Keta në sportin e boksit është e njohur, me vëllezërit Ismail, Ferit dhe Ervin që kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Këtë pasion, kampioni po mundohet t’ia përcjellë edhe djalit të tij, të cilin e stërvit personalisht.

Megjithatë, ai pranon se emocionet janë krejt të tjera kur sheh një njeri të dashur në ring. “Është shumë më e vështirë të shikosh djalin apo vëllain në ring sesa të jesh vetë aty,” pohon ai, duke e përshkruar si një ndjesi tejet të fortë.

Duke bërë një krahasim mes brezit të tij dhe sportistëve të rinj të sotëm, Gjetan Keta thekson një ndryshim thelbësor.

Sipas tij, ndërsa të rinjtë sot gëzojnë mbështetje, kushte stërvitore moderne dhe mundësi për të konkurruar ndërkombëtarisht, shpeshherë u mungon “uria” dhe vullneti që karakterizonte brezin e tij.

“Ne ishim të uritur për sukses, luftonim shumë për një mundësi të vetme. Sot ata i kanë mundësitë, por jo gjithmonë disiplinën për të derdhur djersë derisa bluza të shtrydhet,” thekson ai.

Rikthimi i tij në ring nuk shihet vetëm si një betejë personale, por edhe si një mesazh i fuqishëm për të gjithë të rinjtë që aspirojnë suksesin: vetëm përmes punës së palodhur, sakrificës dhe një disipline të hekurt, ëndrrat mund të bëhen realitet.

PJESË NGA BISEDA NË STUDIO

Si do të jetë ky rikthim?

Gjetan Keta: Do jetë ndeshja e radhës, po, momenti që kam bërë dy vjet tani pushim prapë dhe shpresoj që ose do të jetë një fitore, patjetër.

Ndërkohë që ajo e fundit, në mos gaboj, ka qenë një ndeshje në 2 minuta e 18 sekonda, apo jo?

Gjetan Keta: Po, në raundin e parë ishte një goditje që mori kundërshtari në mëlçi, them unë, që e kam zgjedhur si si stilin tim dhe përfundoi ndeshja shumë shpejt.

Që do të thotë do të riktheheni së shpejti në ring?

Gjetan Keta: Po, patjetër.

Nuk do të hiqni dorë kurrë nga boksi?

Gjetan Keta: Jo, duhet të heq tani sepse duhet t'ju lë radhën të rinjve, patjetër. Edhe koha ecën tani dhe duhet që edhe të rinjtë të vazhdojnë, të stërvis të rinjtë, sepse prandaj u ktheva dhe në Shqipëri që t'ju jap mundësi dhe të rinjve që të ngjiten në ring.

Ndërkohë që mbiemri Keta simbolizon një numër të madh kampionësh. Apo jo?

INTERVISTA/ Ana tjetër e një Kampioni! Gjetan Keta: Flija në

Gjetan Keta: Po. Shqipëria ka tani shumë kampionë dhe kanë dalë shumë të rinj tani që e duan sportin dhe ne jemi unë dhe vëllai, është Ismaili vëllai i madh që... po, Feriti... edhe unë. Të tre jemi dhe kemi dhe vëllan tjetër Ervinin, që dhe ai e ka ndjekur këtë rrugë që kemi nisur Ismaili dhe unë. Dhe kemi qenë boll të suksesshëm. Vazhdojmë akoma.

Vazhdoni akoma. Do të trashëgohet edhe në brezat në vijim?

Gjetan Keta: Po, unë djalin, edhe unë djalin tim e kam në stërvitje aty, edhe ai e ka qejf shumë. Do dhe futbollin, patjetër. Po nuk do ja imponoj siç thonë, që ta bëjë. Por po e deshi, unë do ta mbështes patjetër.

Si është të jesh vetë në ring dhe ndoshta të shikosh djalin?

Gjetan Keta: Shumë e vështirë. Besoj se është shumë e vështirë dhe edhe për vëllain tim të madh, Ismailin, që gjithmonë ishte trajneri im edhe besoj se ka qenë shumë - shumë e vështirë për të. Sepse edhe unë kur e kam shikuar ku ka bërë vëllai im, më pak se më ka parë ai mua, dhe ka qenë një emocion i ndryshëm. Pastaj ke fëmijën është edhe më ndryshe, se prindi e ka të vështirë ta shikojë fëmijën aty.

Me doreza boksi dhe...

Gjetan Keta: Me doreza boksi dhe është një sport i vështirë. Është edhe i bukur, shumë i bukur si sport edhe të mban të shëndetshëm, vetëmbrojtje për çdo gjë, është shumë i mirë si sport. Por i vështirë është, do shumë punë, do shumë disiplinë. Një sport individual.

Sa e vështirë ka qenë për ju ky rrugëtim në boks?

Gjetan Keta: Për mua ka qenë e vështirë, sepse në ato vite që kam ikur unë dhe kam filluar në Greqi, që bëhet fjalë për vitet 1999 - 2000. Isha dhe i ri atëherë, kështu që duhej të merresha edhe me punë të tjera, patjetër. Unë e kisha vetëm ëndërr që e shikoja nëpër televizor në Bulqizë atëherë dhe thosha kur të arrij një ditë të hipi në ring, nuk dua gjë tjetër në jetë. Dhe kur erdhi ajo ditë, me shumë sakrifica patjetër, dhe të rrije në shtet të huaj është edhe më e vështirë, sepse siç e dimë dhe Greqia kishte dhe pjesën e racizmit me ne shqiptarët edhe... Po edhe në Gjermani ishte kjo pjesë! Duhej patjetër që të punoje, po them që 10 herë më shumë se gjermani apo greku që të të jepte mundësinë, gjermani, se greku s’ta jepte fare, po gjermani, që të të jepte mundësinë që të bëje të dilje kampion. Dhe Gjermania ta jep. Aty e kam marrë mundësinë edhe unë, në Gjermani, por kam punuar shumë fort, me disiplinë, me rregull edhe me vetëbesim.

Sa e vështirë pra ka qenë në ato vite kur ju jeni ngritur, jeni ngjitur në ring dhe sa e lehtë ose sa e vështirë është për këta të rinj? Sa e keni dashur ju atë profesion dhe sa, profesion quhet, dhe sa e duan këta të rinj sot?

Gjetan Keta: Po ta doje diçka, do luftoje shumë patjetër që ta bëje, të derdhje shumë djersë.

Ishte vetëm e jotja kjo disiplinë? Pra kishe mbështetje?

Gjetan Keta: Mbështetjen e kishim shumë pak, prandaj doja të them që të rinjtë sot e kanë mbështetjen. I kanë mundësitë ndryshe. Të stërviten në palestra, të kenë trajnerë, të kenë dhe mundësinë t'i nxjerrin nëpër botë. Kurse ne s'kishim mundësi. Unë flija në ring. Ose nuk ushqehesha ashtu siç duhej, që sot i kanë mundësitë këto. Po sot mendojnë që “uau”, u lodha unë, pak djersë u bëra me djersë, nuk mundem. Ti po nuk derdhe djersë, të shtrydhesh, nuk arrin qëllimin që do, asnjëherë. Sot i kanë mundësitë, po nuk kanë vullnetin dhe disiplinën. Atëherë ne s'i kishim mundësitë aq shumë, por ishim të uritur për të bërë, për t’u bërë dikushi në jetë apo për të plotësuar atë dëshirë që vetë kishe...

Për t’u bërë dikushi patjetër, sepse shiko, unë e kam nisur nga televizioni kur shihnim filmin “Rocky Balboa” dhe aty e kam nisur edhe me vëllain e kështu dhe doja të arrija dhe njeriu kur e do diçka, të jepet mundësia dhe Zoti të ndihmon. Dhe punon fort patjetër se nuk të vjen gjë asnjë gjë të rrish kot dhe të thuash unë do bëhem dhe s'punon. S'vjen.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE