“Besimi është çelësi”- Rudi Vata: Sonte nuk është thjesht një lojë, por një shans për të shkruar histori

Ekipi kombëtar shqiptar ndodhet përballë një prej ndeshjeve më vendimtare të viteve të fundit. Në një gjysmëfinale ku gjithçka luhet në një takim të vetëm, presioni dhe pritshmëritë janë në kulmin e tyre.

Gjithçka që kuqezinjtë kanë arritur deri më tani konsiderohet e merituar plotësisht, por për të kaluar në nivelin tjetër dhe për të provuar se meritojnë më shumë, hapi i radhës është fitorja.

Deklaratat vijnë nga legjenda kuqezi Rudi Vata i cili në një intervistë për “Ora News” u shpreh se skuadra shqiptare përbëhet nga profesionistë të nivelit të lartë, të mësuar me presione të tilla. Lojtarët aktivizohen në kampionate të forta, paguhen mirë dhe dinë si të menaxhojnë situata delikate si kjo gjysmëfinale.

Prandaj, pritet që ata të tregojnë në fushë vlerat që i kanë sjellë deri në këtë fazë, vlera të fituara përmes punës së palodhur në karrierat e tyre. Ndeshja e sotme është testi final për të treguar nëse ambiciet e tyre mund të materializohen.

Në një përballje “teke”, thotë Vata, faktori psikologjik luan një rol thelbësor. Besimi është çelësi. Kur një lojtar beson se ka mundësi dhe jep maksimumin e tij në fushë, ai ka përmbushur detyrën e tij.

Për një kombëtare të re dhe në rritje, që përfaqëson një komb të vogël por me ambicie të mëdha, kjo sfidë është një mundësi për të tejkaluar pritshmëritë.

Motivimi për një ndeshje të tillë është i brendshëm dhe automatik. Energjia dhe rëndësia e takimit mjaftojnë për të nxitur çdo lojtar.

Përtej taktikave të trajnerit apo mbështetjes së familjarëve, futbollistët luajnë për veten, për profesionin, për shokët e skuadrës, për familjet, për tifozët dhe për gjithë shqiptarinë. Sonte nuk është thjesht një lojë, por një shans për të shkruar histori, deklaroi Rudi Vata.