180 MINUTA LARG BOTËRORIT/ Zeka: Lojtarët maksimalisht të fokusuar, emocione të përziera

Në prag të ndeshjes vendimtare mes Shqipërisë dhe Polonisë, atmosfera në Varshavë duket e qetë, ndryshe nga festa e zjarrtë e tifozëve shqiptarë një natë më parë.

Gazetari Xhevdet Zeka, në një lidhje direkte me Ora News, raportoi nga hoteli i kombëtares kuqezi, ku përqendrimi i lojtarëve është maksimal, por gjendja emocionale shfaqet e përzier.

"Sulmuesi Jasir Asani u pa i lodhur dhe me fytyrë të zbehtë, pasi nuk do të jetë as në stol dhe do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, një zhvillim zhgënjyes për të. Ndërsa mesfushori Ylber Ramadani shfaqet optimist dhe i motivuar, duke dhënë energji për skuadrën dhe familjen e tij. Pjesa tjetër e ekipit mbetet e fokusuar dhe “me këmbë në tokë”.

Një surprizë e madhe për Zekën ishte qetësia në rrugët e Varshavës. Megjithëse tifozët polakë njihen si ndër më të zjarrtët dhe më besnikët në Evropë, nuk ishte vënë re prania e flamujve apo zhurma karakteristike para ndeshjeve.

Kjo qetësi kontrastonte me festën e shqiptarëve në zonën e vjetër të qytetit, ku muzika dhe këngët shqiptare krijuan një atmosferë pozitive dhe paqësore. Kushtet klimatike, me temperaturë rreth 8–10 gradë Celsius, konsiderohen të përshtatshme për zhvillimin e lojës.

Ndiqni intervistën e plotë: