GJENDEN ESHTRAT E MUSKËTIERIT! Zbulim i rrallë në një kishë në Holandë, del në dritë v*rri i d’Artagnan
Eshtrat e një prej figurave më të famshme historike, d’Artagnan, mund të jenë zbuluar në Holandë. Skeleti është gjetur nën një kishë në Mastriçt, në vendin ku besohej se ishte varrosur. Zbulimi vjen pas më shumë se tre shekujsh kërkimesh. Konfirmimi përfundimtar pritet nga analizat shkencore.
Një zbulim i jashtëzakonshëm mund të ketë nxjerrë në dritë eshtrat e d’Artagnan, musketerit legjendar francez, më shumë se 350 vite pas vdekjes së tij.
Skeleti u gjet nën dyshemenë e një kishe në Maastricht të Holandës, gjatë një gërmimi të rastësishëm të nisur pasi u vunë re dëmtime në pllakat e dyshemesë.
Deakoni i kishës, Jos Valke, i cili mori pjesë në zbulim, shprehet pothuajse i sigurt se bëhet fjalë për Charles de Batz de Castelmore, i njohur si d’Artagnan.
Sipas tij, disa elementë mbështesin këtë dyshim, përfshirë vendndodhjen e varrit pranë altarit, një plumb i gjetur në trup dhe një monedhë e shekullit XVII.
D’Artagnan u vra në vitin 1673 gjatë rrethimit të Maastricht-it, ndërsa shërbente si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të mbretit Louis XIV.
Më pas, figura e tij u bë e famshme në letërsi përmes veprave të Alexandre Dumas, duke u kthyer në një simbol të aventurës dhe besnikërisë.
Megjithatë, ekspertët mbeten të kujdesshëm. Arkeologët theksojnë se identiteti i skeletit duhet të konfirmohet përmes analizave të ADN-së, të cilat janë në proces në Gjermani.
Pjesë të eshtrave janë dërguar gjithashtu për analiza të mëtejshme, për të përcaktuar moshën, gjininë dhe origjinën e tyre.
Nëse konfirmohet, ky zbulim do të përbënte një nga momentet më të rëndësishme në kërkimet historike për figurat e njohura evropiane.
Pas më shumë se tre shekujsh, historia dhe legjenda e d’Artagnan mund të bashkohen më në fund në një provë konkrete.
