EMRAT/ Dënohet me burg shqiptari dhe gruaja e tij në Angli për krimin e rëndë
Një 37-vjeçar shqiptar, Klevi Pirjani, dhe bashkëshortja e tij, Nivaldi Pirjani, janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kurorës në Liverpool, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e djalit të tyre 3 muajsh, Miguel.
Sipas vendimit të gjykatës, Klevi Pirjani duhet të vuajë minimumi 19 vite burg, ndërsa Nivaldi Pirjani të paktën 15 vite, përpara se të kenë të drejtë për shqyrtim të lirimit me kusht.
Ngjarja tragjike ndodhi më 24 nëntor 2024 në banesën e çiftit në Percy Road, në Seacombe, Wirral. Çifti nuk dha asnjëherë një shpjegim të qartë për atë që ndodhi dhe as nuk pranoi se kush i shkaktoi dëmtimin fatal në kokë foshnjës.
Mjekët në spitalin e fëmijëve Alder Hey konstatuan se përveç kafkës së thyer, foshnja kishte pësuar edhe dëmtime të tjera serioze, përfshirë fraktura në brinjë, krah dhe këmbë, të shkaktuara gjatë një periudhe disa javore. I mituri u shkëput nga aparaturat që e mbanin në jetë më 29 nëntor dhe ndërroi jetë po atë ditë.
Gjatë procesit gjyqësor, prokurori Peter Wright KC deklaroi se numri dhe natyra e plagëve tregojnë për abuzim të vazhdueshëm fizik ndaj foshnjës nga prindërit e tij.
Pas shpalljes së vendimit, Policia e Merseyside publikoi edhe thirrjen emergjente në numrin 999, ku dëgjohej babai që raportonte se fëmija kishte ndaluar së marri frymë.
Ndërkohë, nëna pretendoi se bashkëshorti i saj kishte qenë i dhunshëm ndaj saj, por gjatë marrjes në pyetje nga policia nuk deklaroi se e kishte parë atë duke ushtruar dhunë ndaj foshnjës.

