116 VITE AKIRA KUROSAWA/ Gjeniu japonez ndryshoi mënyrën e rrëfimit në kinemane
Shënohen 116 vite nga lindja e Akira Kurosawës, një prej figurave më të mëdha të historisë së kinemasë botërore. Regjisori japonez mbetet një nga emrat më me ndikim në artin e shtatë, me një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë breza të tërë. Filmat e tij ndryshuan mënyrën e rrëfimit dhe sollën kinemanë japoneze në vëmendjen globale.
Një nga emrat më të mëdhenj të historisë së kinemasë, Akira Kurosawa, kujtohet në 116-vjetorin e lindjes si një nga figurat që revolucionarizoi artin e filmit.
I lindur më 23 mars 1910 në Tokio, Kurosawa arriti të ndërthurë traditën japoneze me teknikat moderne të kinemasë perëndimore, duke krijuar një stil unik dhe të papërsëritshëm.
Filmat e tij jo vetëm që sollën Japoninë në skenën ndërkombëtare, por ndryshuan mënyrën se si tregohen historitë në ekran.
Ndër veprat më të njohura është “Seven Samurai”, që konsiderohet ndër filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe që ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimin e filmave aksion dhe western.
Po aq i rëndësishëm është “Rashomon”, filmi që revolucionarizoi narrativën duke paraqitur të njëjtën histori nga këndvështrime të ndryshme, duke i dhënë Kurosawës famë ndërkombëtare.
Ndër kryeveprat e tij renditet edhe “Ran”, një adaptim i lirë i veprës së Shekspirit “Mbreti Lir”, i vlerësuar për madhështinë vizuale dhe ndërtimin epik.
Gjatë karrierës së tij, Kurosawa bashkëpunoi me aktorë legjendarë si Toshiro Mifune, duke krijuar disa nga momentet më ikonike të kinemasë.
Ndikimi i tij shtrihet edhe te regjisorë të mëdhenj si George Lucas dhe Martin Scorsese, të cilët e kanë konsideruar burim frymëzimi.
Edhe pas ndarjes nga jeta në vitin 1998, trashëgimia e Kurosawës mbetet e gjallë, me filmat e tij që vazhdojnë të studiohen dhe të shfaqen në mbarë botën.
