BILL COSBY FAJTOR/ Shpallet përgjegjës për ... Do të paguajë 19 mln dollarë

Një juri në SHBA ka shpallur fajtor Bill Cosby për një sulm seksual të ndodhur në vitin 1972. Aktori është dënuar të paguajë mbi 19 milionë dollarë dëmshpërblim për viktimën. Vendimi vjen pas një procesi civil dyjavor në Kaliforni. Avokatët e Cosbyt kanë paralajmëruar apelim të menjëhershëm.

Një juri civile në Kaliforni ka shpallur përgjegjës aktorin Bill Cosby për drogimin dhe sulmin seksual ndaj një gruaje në vitin 1972.

Pas një gjyqi që zgjati afro dy javë në Santa Monica, juria vendosi që Cosby të paguajë 19.25 milionë dollarë dëmshpërblim për viktimën, Donna Motsinger.

Sipas vendimit, 17.5 milionë dollarë janë dhënë për dëmet e kaluara, ndërsa 1.75 milionë për dëmet e ardhshme, përfshirë vuajtjet emocionale dhe psikologjike.

Paditësja ka deklaruar se në kohën e ngjarjes ishte në të 30-at dhe se Cosby i kishte dhënë pije dhe pilula, pas të cilave humbi ndjenjat dhe më pas u zgjua në shtëpi pa kujtesë të plotë për atë që kishte ndodhur.

Avokatët e Cosby kanë kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe duke theksuar se nuk ka prova të drejtpërdrejta për ngjarjen.

Vendimi vjen disa vite pasi Cosby u lirua nga burgu në Pensilvani, kur Gjykata e Lartë rrëzoi një dënim penal të mëparshëm për akuza të ngjashme.

Gjatë këtij procesi, Cosby nuk ka dëshmuar, ndërsa mes dëshmitarëve ishte edhe Andrea Constand, në çështjen e së cilës ai ishte dënuar më parë.

Ky rast është një nga dhjetëra akuzat për abuzim seksual që janë ngritur ndër vite ndaj Cosby, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht.

Procesi nuk ka përfunduar plotësisht, pasi një fazë tjetër pritet të shqyrtojë mundësinë e dëmshpërblimeve ndëshkuese shtesë.

Ndërkohë, pala mbrojtëse ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin, duke paralajmëruar një tjetër betejë ligjore në vazhdim.