Festa e Sulltan Nevruzit/ Politika uron besimtarët shqiptarë
Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit, një ditë e konsideruar nga ta si më e bekuara e vitit, pasi shënon nisjen e Pranverës dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut.
Presidenti uroi që kjo ditë të sjellë begati e mirësi në çdo vatër të çdo besimtari dhe të çdo shqiptari.
“Kjo ditë e shenjtë, simbol i pranverës dhe ringjalljes, na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit. Le të na shërbejë si thirrje për më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh, duke forcuar bashkëjetesën dhe tolerancën që na karakterizon si shoqëri”, u shpreh Begaj në mesazhin e tij të urimit.
Besimtarët i ka uruar gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama:
“Urime për Ditën e Sulltan Nevruzit nga Teqeja e Helvetive, në Berat ndër më të bukurat në Ballkan, ku qetësia dhe harmonia janë besim.”
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi bektashinjtë.
Në mesazhin e tij, Berisha u shpreh se Sulltan Nevruzi përfaqëson besim, mbarësi, lindje dhe shpresë të pashuar.
“Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit! Bektashinjve shqiptarë i uroj nga zemra një ditë të madhe dhe të bekuar. Për besimtarët e Zotit, kjo është ditë besimi, mbarësie, ditë e lindjes, jetës dhe shpresës së pashuar. Le të urojmë që Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë më mirë!”, u shpreh Berisha.
Urimi i Ilir Metës: Gëzuar Sulltan Nevruzin!
Në këtë ditë të bekuar, që simbolizon fitoren e pranverës mbi dimrin dhe të shpresës mbi dëshpërimin, ju uroj nga zemra shëndet, mbarësi dhe begati në çdo familje shqiptare.
Qoftë kjo festë një burim drite, optimizmi dhe besimi për të gjithë besimtarët bektashianë dhe për çdo shqiptar.
Ju ndihmoftë Abaz Aliu dhe qofshin mbi ju bekimet e Zotit!
Pranvera dhe Demokracia triumfojnë përherë!
Partia e Lirisë:
"Në emër të presidentit Meta dhe në emër të partisë së Lirisë japim urimet më të përzemërta, për të gjithë besimtarët bektashian dhe për të gjithë familjet shqiptare, për më shumë begati, shëndet dhe paqe. Mesazhi i kësaj dite është se pranvera dhe demokracia do të triumfojnë gjithmonë."
Kjo festë njihet edhe ndërkombëtarisht prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit.
Sulltan Nevruzi është një festë e lashtë e jetës, rilindjes dhe triumfit të dritës mbi errësirën.
Me rrënjë që shtrihen mbi 3000 vjet në epokën e Zoroastrianizmit, Nevruzi paralajmëron ardhjen e pranverës dhe festohet në ekuinoksin e pranverës.

