Rrëzohet nga skela, ndërron jetë 52-vjeçari shqiptar në Itali
Një aksident fatal në vendin e punës është regjistruar në Modena, Itali, ku një punëtor ndërtimi, me origjinë shqiptare, ka humbur jetën pasi ka rënë nga një skelë në një kantier ndërtimi në qendër historike.
Viktima është identifikuar si Murat Tafçiu, 52 vjeç. Ai ishte duke punuar në rikonstruksionin e ish-godinës së Bankës së Italisë në rrugën Corso Canalgrande, kur ndodhi aksidenti tragjik, raporton Corriere della Serra.
Sipas të dhënave paraprake, Tafçiu ka rënë nga një skelë e vendosur në pjesën e pasme të ndërtesës. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulanca dhe ekipi mjekësor, por 52-vjeçari kishte ndërruar jetë në vendngjarje.
Autoritetet policore, së bashku me inspektorët e mjekësisë së punës dhe prokurorinë, nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Janë marrë në pyetje dëshmitarët dhe përgjegjësit për sigurinë në kantierin e kompanisë ndërtimore Garc, e cila ka deklaruar se po bashkëpunon plotësisht me hetuesit.
Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe bashkëshortja e viktimës, me të cilën kishte katër fëmijë.
Kryetari i bashkisë së Modenës, Massimo Mezzetti, shprehu ngushëllimet për familjen dhe kolegët e viktimës, duke theksuar se një humbje e tillë duhet të nxisë reflektim të thellë nga institucionet, bizneset dhe sindikatat mbi sigurinë në punë.
Sipas të dhënave lokale, vetëm në vitin 2025 në provincën e Modenës janë regjistruar 13 viktima në vendin e punës, një tregues shqetësues për gjendjen e sigurisë. Autoritetet vendore kanë paralajmëruar masa shtesë dhe fushata ndërgjegjësimi për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të reduktuar aksidentet.
