Trafik makinash luksoze drejt Shqipërisë/ Shpallen në kërkim 2 persona, policia sekuestron mjete me vlerë 200 mijë euro

Operacioni policor i koduar “Stolen Line” po vijon në Tiranë, ku policia ka goditur një rast të trafikimit të automjeteve të vjedhura.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar katër makina luksoze dhe janë përfshirë disa persona.

Dy shtetas janë proceduar penalisht.

Njëri prej tyre dyshohet se kishte sjellë në Shqipëri një automjet tip “Jeep” të vjedhur në Itali, me qëllim shitjen.

Ndërsa shtetasi tjetër dyshohet se kishte trafikuar një “Range Rover” të vjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kërkim janë shpallur edhe dy persona të tjerë.

Njëri dyshohet për një “BMW” të vjedhur në Gjermani dhe tjetri për një “Seat Cupra” të vjedhur në Itali.

Edhe këto mjete mendohet se do të shiteshin në Shqipëri.

Automjetet e sekuestruara arrijnë një vlerë rreth 200 mijë euro dhe janë marrë si prova materiale, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.