NË DORË TË BASTEVE ONLINE/ Afrikë, rritet varësia. Qeveritë rrisin taksat fiskale

Rritja e shpejtë e basteve online në Afrikë po shtyn qeveritë të rrisin taksat për të frenuar varësinë dhe për të rritur të ardhurat. Industria kundërshton, duke paralajmëruar se kjo mund të rrisë tregun ilegal dhe të përkeqësojë situatën.

Një rritje e shpejtë e lojërave të fatit online në të gjithë Afrikën po i shtyn qeveritë të ndërmarrin masa më të forta, përfshirë rritjen e taksave, me synimin për të frenuar varësinë dhe për të rritur të ardhurat shtetërore.

Megjithatë, industria po kundërshton, duke paralajmëruar pasoja të padëshiruara.

Në Afrikën e Jugut, tregu më i madh në kontinent, lojërat e fatit janë bërë masive falë aksesit të lehtë në platformat online.

Sipas autoriteteve, rreth dy të tretat e të rriturve marrin pjesë në baste online, një rritje e ndjeshme nga 30% në vitin 2017.

Qeveria ka propozuar një taksë kombëtare prej 20% mbi fitimet nga lojërat e fatit online, e cila pritet të dyfishojë të ardhurat në rreth 10 miliardë rand në vit.

Ligji pritet të diskutohet gjatë këtij viti dhe të hyjë në fuqi në 2027.

Por kompanitë e basteve janë kundër. Ato argumentojnë se rritja e taksave nuk do të ulë varësinë, por do t’i shtyjë lojtarët drejt platformave ilegale, ku nuk ka kontroll dhe rregullim.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë një rritje alarmante të varësisë. Telefonatat për ndihmë në linjat kombëtare janë rritur me mbi 60% brenda një viti. Shumë njerëz, sipas ekspertëve, nuk luajnë për argëtim, por nga dëshpërimi ekonomik.

“Po përpiqen të fitojnë jetesën përmes lojërave të fatit,” thonë specialistët që trajtojnë rastet e varësisë.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në një vend. Malaëi dhe Zimbabve kanë rritur gjithashtu taksat këtë vit. Në Senegal, autoritetet kanë përfshirë masa të ngjashme në planet ekonomike për rimëkëmbje.