LINDJA E MESME NË GJENDJE ALARMI/ Mbrojtja ajrore ndalon sulmet, konflikti përhapet në gjithë rajonin

Sulmet me raketa dhe dronë janë përhapur në të gjithë vendet e Gjirit, duke përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin, çka tregon një zgjerim të konfliktit në rajon. Ndërkohë, reagimet ndërkombëtare dhe paralajmërimet për përshkallëzim të mëtejshëm shtojnë pasigurinë, ndërsa situata humanitare dhe trafiku ajror janë rënduar ndjeshëm.

Pothuajse e gjithë Lindja e Mesme është në gjendje alarmi. Gjatë natës, disa vende të Gjirit raportuan për sulme me dronë dhe raketa.

Arabia Saudite deklaroi se ka rrëzuar dhjetëra dronë dhe raketa balistike mbi Riad dhe rajonet lindore. Emiratet e Bashkuara Arabe aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore për të interceptuar objektiva që synonin infrastrukturën energjetike, ndërsa Kuvajti raportoi për sulme të ngjashme, duke konfirmuar se situata mbetet tepër e tensionuar.

Ndërkohë, një rafineri në Kuvajt u godit nga një dron, duke shkaktuar një zjarr që u vu shpejt nën kontroll.

Edhe pse nuk pati viktima, incidenti tregon për zgjerimin e konfliktit në gjithë rajonin e Gjirit.

Shtetet arabe kanë dënuar ashpër sulmet iraniane, duke i cilësuar ato si “të qëllimshme” dhe në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Në një deklaratë të përbashkët, disa vende të rajonit theksuan të drejtën e tyre për vetëmbrojtje dhe i kërkuan Iranit të ndalojë menjëherë sulmet.

Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar për pasoja të rënda nëse Irani vazhdon sulmet ndaj Katarit. Në një deklaratë ai theksoi se SHBA mund të ndërmarrë veprime ekstreme ndaj fushës së gazit South Pars në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Ndërkohë, situata humanitare po përkeqësohet.

Në Izrael dhe Liban raportohen dëme të shumta nga bombardimet dhe sulmet raketore, ndërsa popullsia civile vazhdon të përballet me pasiguri të madhe.

Për më tepër, trafiku ajror në rajon është ndikuar rëndë.

Linja ajrore ndërkombëtare kanë anuluar fluturime drejt destinacioneve kryesore si Dubai dhe Rijadi.