Rreth 90 anije kalojnë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa vendi eksporton miliona fuçi naftë pavarësisht luftës
Rreth 90 anije, përfshirë anije cisterna nafte, kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit që nga fillimi i luftës me Iranin dhe ai ende po eksporton miliona fuçi naftë në një kohë kur rruga ujore është mbyllur në mënyrë efektive, sipas platformave të të dhënave detare dhe tregtare, sipas AP.
”Shumë nga anijet që kaluan nëpër ngushticë ishin nga ato që shmangin sanksionet dhe mbikëqyrjen e qeverive perëndimore që ka të ngjarë të kenë lidhje me Iranin”, tha firma e të dhënave detare ”Lloyd’s List Intelligence”.
Kohët e fundit, anijet me lidhje me Indinë dhe Pakistanin gjithashtu kanë kaluar me sukses ngushticën, ndërsa qeveritë intensifikuan negociatat.
Ndërsa çmimet e naftës bruto u rritën mbi 100 dollarë për fuçi, presidenti i SHBA-së Donald Trump u bëri presion aleatëve dhe partnerëve tregtarë për të dërguar anije luftarake dhe për të rihapur ngushticën, duke shpresuar të ulte çmimet e naftës.
Pjesa më e madhe e trafikut detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë ujore për transportin global të naftës dhe gazit që furnizon afërsisht një të pestën e naftës bruto në botë, është ndalur që nga fillimi i marsit, pas fillimit të luftës.
Rreth 20 anije janë sulmuar në zonë.
Megjithatë, Irani ka arritur të eksportojë mbi 16 milionë fuçi naftë që nga fillimi i marsit, vlerësoi platforma e të dhënave dhe analizave tregtare ”Kpler”.
Për shkak të sanksioneve perëndimore dhe rreziqeve që lidhen me to, Kina ka qenë blerësi më i madh i naftës iraniane.

