DORËHIQET SHEFI I KUNDËRTERRORIZMIT/ Joe Kent: Irani s’ishte kërcënim, L*fta u shty nga Izraeli

Drejtori i Qendrës Kombëtare Kundërterrorizmit Joe Kent dha dorëheqjen duke kundërshtuar luftën në Iran. Deklarata t e tij se Irani nuk përmbënin kërcënim në të ardhmen e afërt u hodhën poshtë nga Shtëpia e Bardhë

Një nga zyrtarët më të lartë të kundërterrorizmit në administratën e Donald Trump ka dhënë dorëheqjen, duke kritikuar hapur luftën në Iran dhe duke i kërkuar presidentit të “ndryshojë kurs”.

Drejtori i Qendrës Kombëtare Kundërterrorizmit, Joe Kent, publikoi një letër ku deklaron se Irani “nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm” për Shtetet e Bashkuara dhe se përfshirja në konflikt erdhi si pasojë e presioneve politike. Ai pretendoi se administrata u ndikua nga narrativa të gabuara që e shtynë drejt luftës.

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se presidenti kishte “prova bindëse” për një kërcënim të afërt nga Irani. Vetë Trump reagoi shkurt, duke e cilësuar Kent si “një njeri të mirë”, por “të dobët në siguri”.

Letra e dorëheqjes ka shkaktuar reagime të forta edhe nga organizata të ndryshme. Anti-Defamation League kritikoi deklaratat e Kent, duke i cilësuar si të mbështetura në “stereotipe antisemitike”, ndërsa grupi lobues American Israel Public Affairs Committee shpërndau të njëjtin qëndrim.

Edhe zyrtarë dhe analistë të tjerë e dënuan gjuhën e përdorur në letër, duke theksuar se ajo rrezikon të nxisë narrativa të rrezikshme në një moment të tensionuar ndërkombëtar.

Dorëheqja e Kent e bën atë figurën më të rëndësishme brenda administratës Trump që del publikisht kundër ndërhyrjes ushtarake në Iran. Ai ishte një mbështetës i hershëm i presidentit dhe kishte shërbyer më parë në forcat speciale amerikane dhe në CIA.

Ngjarja vjen në një kohë kur konflikti në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet, ndërsa brenda SHBA-së po shtohen debatet politike mbi arsyet dhe pasojat e përfshirjes në këtë luftë.