“Më lini të marr frymë…”/ Alaudin Hamiti flet për BBVK5
Pas përfundimit të suksesshëm të edicionit të katërt të “Big Brother VIP Kosova”, i cili u fitua nga Londrimi, vëmendja e publikut është zhvendosur menjëherë te sezoni i ardhshëm.
Edhe pse finalja është ende e freskët, ndjekësit e formatit kanë nisur të kërkojnë përgjigje për “BBVK5”, duke mbushur rrjetet sociale me pyetje rreth vazhdimësisë së spektaklit.
Mes tyre, moderatori Alaudin Hamiti është përballur drejtpërdrejt me këtë kuriozitet gjatë një bisede virtuale në Instagram. I pyetur nëse do të ketë një sezon të pestë, ai zgjodhi të përgjigjet me humor, duke lënë të kuptohet se i duhet pak pushim pas intensitetit të spektaklit.
“Më lini pak të marr frymë nga BBK4, pastaj flasim për BBK5,” u shpreh fillimisht ai.Megjithatë, Hamiti nuk e përjashtoi mundësinë e një edicioni të ri, duke theksuar suksesin dhe ndikimin e madh që ka pasur formati.
“Duke parë suksesin, impaktin dhe shikueshmërinë që ka, ‘Big Brother’ i Kosovës ka shumë gjasa të rikthehet me një sezon tjetër, me ose pa mua,” shtoi ai.
Edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar, kjo deklaratë ka shtuar pritshmëritë për rikthimin e spektaklit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Hamiti do të jetë sërish në drejtimin e tij.
