Kur ndarja kthehet në makth, Miekley: Dh*na fizike është vetëm maja e ajsbergut

Fenomeni i dhunës pas ndarjes, i cili shpesh arrin deri në humbje jete, është kthyer në një shqetësim madhor social.

Për të kuptuar rrënjët e këtij makthi që po prek shumë çifte, psikologia Bona Bona Miekley dhe avokatja Dea Toçi analizuan në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai, shkaqet psikologjike dhe kuadrin ligjor, duke nxjerrë në pah se problemi është më i thellë se sa duket.

Sipas psikologes Miekley, refuzimi për të pranuar fundin e një marrëdhënieje nuk është një akt i momentit, por shpesh buron nga e kaluara dhe historitë personale të individëve. Traumat e pashëruara apo një fëmijëri ku dhuna ka qenë e pranishme, krijojnë terrenin për sjellje abuzive në të ardhmen. Ajo thekson se dhuna fizike është vetëm maja e ajsbergut. Zakonisht, ajo nis me dhunë verbale dhe psikologjike, e cila, duke u toleruar, gradualisht përshkallëzohet.

“Shumë çifte sot nuk kërkojnë ndihmë profesionale për të menaxhuar konfliktet,” shprehet Majkëll. “Secili hyn në një lidhje me ‘valixhen’ e tij të së kaluarës, dhe pa mjetet e duhura për të zgjidhur mosmarrëveshjet, ato anashkalohen derisa situata precipiton në kërcënime dhe akte ekstreme.”

Psikologia Bona Miekley: “Përpara se të shkojmë te kjo pjesa e ndarjes, duhet të kuptojmë edhe pak historitë e dy personave, pra të dy partnerëve, që mund të jetë bashkëshorti, bashkëshortja, i dashuri, e dashura, pra varet në lidhjen e tyre. Por ka të bëjë shumë me të kaluarën e dy personave.

Pra mund të kemi një person që ndoshta ka pasur një traumë të caktuar dhe është bërë i dhunuar dhe ne po flisnim dhe pak më përpara. Ndoshta janë rrethana të toleruara që personi që dhunon, normalisht nuk është hera e parë që e bën këtë gjë.

Mund ketë bërë dhe një dhunë më përpara, që mund të jetë dhunë verbale, mund të jetë një dhunë psikologjike. Por për shkak, sepse ka qenë e toleruar, kjo lloj dhune normalisht eskalohet dhe vjen një moment që ndodhin gjëra të tilla.

Një shkak tjetër që është shumë e rëndësishme për ta thënë, është te pjesa që një çift përpara se të ndahet, normalisht se nuk vjen ndarja thjesht ka një konflikt dhe ti ndahesh. Jo. Unë mendoj që çiftet sot nuk marrin ndihmë për problemet e tyre, që mund të jenë probleme në çift dhe kjo çfarë ndodh?

Ndodh që nuk dinë se si ta zgjidhin konfliktin, sepse nëse do dinin të zgjidhnin një konflikt, normalisht nuk do shkonin, nuk do shkonte problemi në një dhunë fizike që mund të shkojë pastaj që një çift kur ndahet mund të, të kalojë në kërcënime deri edhe në vrasje.

Kështu që ne kemi një problem me lidhjet sot, sepse të rinjtë ose ata që janë të martuar nuk marrin ndihmë profesionale që të kuptojnë ato problemet që ato marrin ... në valixhen e tyre. Pra është njësoj kur dy persona lidhen së bashku, është njësoj sikur shkojnë në një udhëtim të bukur, një udhëtim në këtë rast që mund të jetë martesa, mund të jetë një udhëtim dashurie, por secili kur shkon në këtë udhëtim, marrin secili valixhet e tyre.

Kështu që ndonjëherë e kaluara e pashëruar sjell që një çift të ketë konflikte dhe mos diturit se si të zgjidhin një konflikt në jetën e tyre, e anashkalojnë dhe pastaj kalojnë në situata të vështira siç është historia që po flasim sot.

Mendoj që ideja e dhunës fillon në mendje dhe pastaj manifestohet me pjesën verbale, pastaj shkon tek pjesa fizike, psikologjike, edhe eskalohet shumë më shumë”.

NDIQNI EMISIONINE PLOTË “EPIQENDËR” NË “ORA NEWS”