NJË NATË SA 1000 MUAJ/ Hoxhë Gentian Mara: Ja simbolika e Natës së Kadrit
Në studion e OraNews sot ishte i ftuar hoxhë Gentian Mara për të folur mbi muajin e shenjtë të Ramazanit dhe Natën e Kadrit, një natë që besimtarët myslimanë e konsiderojnë më të vlefshme se një mijë muaj.
Hoxhë Mara shpjegoi se Nata e Kadrit ka dy dimensione kryesore, është nata kur filloi shpallja e Kuranit dhe nata e përcaktimit të fatit dhe furnizimeve.
Besimtarët kalojnë dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit duke agjëruar dhe kryer vepra të mira, duke kërkuar të jenë pjesë e bekimeve të kësaj nate.
“Është pikërisht shpallja e Kuranit famëlartë. Nata e Kadrit është nata e shenjtëruar ku besimi ripërtërihet dhe adhurimi ka vlerë të shumëfishuar,” tha Mara.
Hoxha shtoi se Nata e Kadrit ndodhet brenda dhjetë netëve të fundit, kryesisht në netët teke, dhe misteri i datës së saktë ka një shpjegim historik.
Profeti Muhamed e kishte zbuluar datën, por ndërprerjet e penguan të njoftonte besimtarët, duke e bërë qëllimisht të fshehtë për të nxitur përkushtimin gjatë gjithë periudhës.
“Besimtarët e kërkojnë këtë natë gjatë dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. Ajo ndodhet më së shumti në netët teke, dhe çdo përpjekje në adhurim ka vlerë të jashtëzakonshme,” vijoi Mara.
Hoxhë Mara përmendi se shpërblimi i kësaj nate është i dyfishtë, një herë për shpalljen e Kuranit dhe një herë për furnizimet dhe rritjet shpirtërore që besimtarët marrin përmes lutjes dhe veprave të mira.
Ai bëri thirrje që dëshira kryesore e çdo besimtari duhet të jetë ripërtëritja e lidhjes me Zotin.
Ndiqni intervistën e plotë:

