Nga avokate në influencere, juristja shqiptare rrëfen sfidën e dyfishtë dhe "anën e errët" të punës online
Revolucioni dixhital nuk është më e ardhmja, por e tashmja jonë. Ky transformim i shpejtë i tregut të punës po ecën me ritme më të shpejta se aftësia jonë për t'u përshtatur. Sipas një studimi të fundit, brenda vitit 2030, rreth 90 milionë vende pune globale do të kthehen në punë në distancë, një realitet që po troket fuqishëm edhe në Shqipëri.
E ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, juristja dhe influencerja Xhina Vezi, analizoi ndryshimet rrënjësore që ka pësuar koncepti i punës dhe profesionit.
Profesione që dikur as nuk mendoheshin, si “content creator” apo menaxher i rrjeteve sociale, sot janë kthyer nga hobi në karriera me kohë të plotë, duke kërkuar një angazhim dhe energji të barabartë me profesionet tradicionale.
Sipas saj, rrjetet sociale kanë evoluar nga platforma komunikimi dhe argëtimi, në një “mënyrë jetese”. Ky ndryshim ka sjellë me vete sfidën më të madhe të epokës dixhitale: zhdukjen e kufirit mes jetës personale dhe asaj profesionale. “Nuk ka më një kufi. Kreativiteti, që më parë ishte pasion, tani kthehet në detyrim,” shprehet ajo, duke theksuar se presioni për të qenë vazhdimisht aktiv dhe produktiv është një nga anët më të lodhshme të këtij realiteti të ri.
Një tjetër fenomen i theksuar është ndikimi i globalizmit dhe algoritmeve, të cilat krijojnë një tendencë për unifikim. Presioni për të ndjekur trendet e fundit është i madh, pasi dalja nga “sistemi” mund të penalizohet me ulje të shikueshmërisë dhe rrjedhimisht, të të ardhurave. Kjo e bën gjithnjë e më të vështirë për individët që të ruajnë origjinalitetin.
Duke folur nga përvoja e saj e dyfishtë si avokate dhe influencere, Lita e përshkruan bashkëjetesën mes dy profesioneve si “shumë të vështirë”, veçanërisht në aspektin emocional dhe mendor. Ekspozimi ndaj komenteve negative dhe gjuhës së urrejtjes, sidomos si një grua në hapësirën publike, përbën një nga sfidat më të mëdha.
Megjithatë, prania online ka edhe anën e saj pozitive. Teknologjia i ka shërbyer si një urë për të zgjeruar kufijtë e profesionit të saj. “Telefoni është bërë zyra ime,” pohon ajo, duke shpjeguar se platformat dixhitale i kanë dhënë mundësinë të përfaqësojë klientë në arenën ndërkombëtare, diçka që më parë do të ishte shumë më e komplikuar.
Në fund, transformimi dixhital i punës paraqet një medalje me dy anë. Nga njëra anë, ofron fleksibilitet, mundësi të reja dhe një shtrirje globale të paparë më parë. Nga ana tjetër, ai vjen me një kosto të lartë për mirëqenien mendore dhe balancën mes punës e jetës, duke na vënë përballë sfidës për të menaxhuar një botë ku kufijtë janë gjithnjë e më të paqartë.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

